Mërgimtarët dërguan 420 milionë euro për shtatë muaj në Kosovë. Për shtatë muaj në Kosovë nga diaspora erdhën 419.9 milionë euro.
Këto të ardhura, më së shumti u sollën nëpërmjet agjencive për transferimin e mjeteve 202.8 milionë euro, nëpërmjet bankave 65 milionë dhe 152.1 milionë euro në forma tjera.
Në krahasim me periudhën janar-korrik të vitit të kaluar, këto të hyra u rriten mbi 39 milionë euro.
Deri në korrik të 2016-ës, dërgesat e mërgimtarëve në vend ishin 380.1 milionë euro ku rreth 177.8 milionë erdhën nëpërmjet agjencive, 64.6 milionë euro përmes bankave dhe pjesa tjetër prej 137.7 milionë euro përmes formave tjera.
Sipas të dhënave të publikuara të BQK-së rezulton se kontributi i diasporës ka shënuar rritje për periudhën e sivjetme, ndërsa mërgimtarët gjatë dërgimit të parave përdorën kanale tjera e më pak bankat.
Diaspora rriti kontributin e saj në kohën kur ndodhën vonesat në konsitutimin e organeve të vendit duke shkaktuar humbjen e miliona eurove fonde dhe lanë peng shumë projekte për tu realizuar.
Bazuar në të dhënat e BQK-së nga viti 2004 deri në vitin 2016, apo për 12 vjet në Kosovë remitancat nga diaspora kapin vlerën e 7.09 miliardë eurove apo vlera e tyre është më e lartë se tri herë buxheti i Republikës së Kosovës.
Nga viti 2004 deri në vitin 2008 remitancat ishin në rritje, përderisa pas 2008-ës deri në vitin 2011 pësuan rënie. Viti 2008 mbahet në mend si viti i krizës globale financiare.
Nga 2012-ta deri në 2016-ën dërgesat nga diaspora çdo vit u rritën.