I takojnë historisë së përfaqësueses së Kosovës thuajse të gjithë lojtarët që shënuan në atë pasditen e ftohtë të 5 marsit 2014, në stadiumin olimpik “Adem Jashari”, në Mitrovicë.
Ndonëse kanë kaluar vetëm katër vjet, asnjë prej lojtarëve të Kosovës nga ajo ndeshje, përjashto portierin Samir Ujkani, nuk është në përfaqësuese, shkruan sot Koha Ditore.
Disa e kanë mbyllur karrierën, ndërsa disa të tjerë janë në moshën më të mirë për futboll. Por luajnë në nivele të ulëta dhe kështu nuk janë në planet e përzgjedhësit Bernard Challandes.
Kosova përballë e kishte një përfaqësuese të panjohur në atë takim – atë të Haitit. Por ajo ndeshje, që mblodhi rreth 20 mijë shikues, mbetet historike për Kosovën. Llogaritet si ndeshja e parë zyrtare e Kosovës, ndonëse përfaqësuesja kishte luajtur edhe në të kaluarën miqësore.
Llogaritet e para, pasi FIFA, pas një procesi të stërzgjatur, më në fund, në fillim të 2014-s kishte dhënë leje për federatat anëtare të saj që të luajnë ndeshje miqësore me Kosovën.