Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kuvendit, ku është diskutuar rreth problemeve me të cilat përballen përpunuesit e grurit.
Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës tha se rënia e rendimentit të grurit mund të çojë në rritje të çmimit të bukës, raporton Ekonomia Online.
“Duke parë situatën aktuale do të pyesim se çka do të ndodhë pas 5 viteve. Subvencioni për grurin është shumë i ulët dhe duhet që kjo veprimtari të subvencionohet qysh duhet. Nëse ka prodhim të ulët dhe do të mund të rritet edhe çmimi i bukës. Nëse nuk kemi prodhim pritet të ketë edhe rritje të çmimit të bukës”, tha Zejnullahu.
Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, ka prezantuar faktorët të cilët kanë ndikuar dhe janë duke ndikuar në dëmtimin e industrisë së drithërave.
Ai tha se ka rënë interesimi i bujqve për të mbjellë grurë, shkak sipas tij, është subvencionimi jotransparent.
“Gjatë kësaj mbledhje u shqyrtua gjendja aktuale e përpunimit të grurit në Kosovë. Shpreh indinjatën e prodhuesve të grurit të cilët gjenden në gjendje tejet të keqe financiare. Sipas konkludimeve të parashtruara në të gjitha regjionet e Kosovës, janë dorëzuar maksimalisht 120 mijë tonelata grurë”, tha ai, raporton EO.
“Ljo shifër rezulton nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë. Ne shohim një rënie të madhe të prodhimit të grurit në Kosovë dhe në këtë rënie pasojë është subvencionimi jo i drejtë i grurit që mbillett në Kosovë. Nëse vazhdon me një trend të tillë bujqit pritet të zvogëlojnë numrin e sipërfaqeve të mbjellura”.
“Ministria e Bujqësisë duhet të eliminojë disa farëra që prodhojnë cilësi më të dobët dhe nuk ka leverdi të konsumohet në Kosovë. Ne i drejtohemi Ministrisë së Bujqësisë ta ketë parasysh që premtimet që i ka dhënë duhet t’i realizojë do të ketë pasoja”.