Reportazh me biçikletë: Si po shkatërrohet “Shqipëria turistike”

Prishtinë | 06 Gus 2017 | 16:14 | Nga Andi Bushati

Në fushatën e vitit 2013 Edi Rama e shndërroi në refren të tij talljen me rrugët që ndërtoi për tetë vite me radhë qeveria e Sali Berishës. “S’keni punë, merrni rrugë, s’keni ilaçe, merrni asfalt, s’keni biznes, merrni xhade” ironizonte ai në mbarë vendin. Por sot katër vite më pas rezulton se “Rilindja” jo vetëm që nuk ka bërë asnjë rrugë të re, por nën qeverisjen e saj po shkatërrohen krejtësisht edhe ato të vjetrat.
Natyrisht, një shembull nuk shërben kurrë si përgjithësim, por unë do të tregoj këtu atë që kam prekur vetë: shkallmimin e një prej rrugëve më të bukura që ka bregdeti shqiptar i Adriatikut. Prej vitesh e shijoj këtë xhade, dikur të shtruar me asfalt, madje dhe me vizim, nga Golemi deri në plazhin e mrekullueshëm, te Kalaja e Turrës. Një reliev kodrinor, ku deti hapet i magjishëm përpara teje, ku kodrat e gjelbëruara që në pranverë të tejmbushura me lulëkuqe, i ngjajnë peizazheve të Toskanës, ku në ditë të kthjellëta vështrimi mund të të kapë që nga porti i Durrësit e deri tek fundi i Karaburunit dhe Sazani.

Imagjinojeni pra veten mbi një biçikletë, në këtë itinerar që zgjat afro 38 km, ku përpos sportit ti mund të shijosh edhe pamje të magjishme. Disa shtëpi të shpërndara fshati të bëjnë të kuptosh se natyra nuk është krejtësisht e egër. Ndërsa veturat e rralla në ditët e verës të bëjnë të mendosh se ende kanë mbetur vendas që duan t’i largohen plazheve me zhurmë dhe shkuma- party.

Kisha mbi një vit që nuk e kisha bërë më këtë itinerar.

Por kur rimora biçikletën që t’i kthehem kësaj eksperience të papërsëritshme goditja dhe zhgënjimi ishin të pa tregueshme me fjlalë.

Asfalti ishte zhdukur. Aty – këtu fshatarët që kishin shtëpitë ndanë rrugës (nëse mund të quhej më e tillë) kishin hedhur nga pak zhavorr. Të doje të bëje sport qoftë me biçikletë qoftë në formë ecjeje në majën e atyre kodrave të mrekullueshme ishte një sfidë sizifiane. Retë e stërmëdha të tymit që shkaktoheshin qoftë edhe nga kalimi i një motoçiklete të vogël të bllokonin mushkrite. Gjerbërimi ndanë rrugës, kodrat e vogla ku mund të këpusje manaferra me dorë si dikur, ishin vrarë nga bardhësia e pluhurit. Gjithçka ishte kandaharizuar, madje edhe oborret e shtëpive që gjendeshin anës xhadesë.

Jo vetëm sporti i turistëve të aventurës ishte i pamundur, por edhe jeta e atyre pak banorëve që jetonin aty.

I tronditur nga ajo që po shihja, u ndala të pyes disa prej tyre. C’kishte ndodhur me atë xhade të mrekulluedheme? Përse ishte shkallmuar ashtu?

“Janë makinat e rënda, eskavatorët e firmës së ndërtimit më thanë”

“Cfarë po ndërtohet”- i pyeta.

“Shko shihe vetë” insistoi njëri prej tyre duke treguar me dorë poshtë kodrave, atje ku deti prekte një gji të mrekullueshëm.

E njihja atë vend. Ata pak njerëz në kërkim të plazheve të virgjëra e njohin si plazhi i kalasë, ose kalaja e Turrës. Është pa dyshim një nga plazhet më të bukra që ka bregdeti Adriatik nga Durrësi deri në Vlorë. Me një urë të vogël ushtarake, me një breg me guralecë të imët, me një ujë të kristaltë që nga kthjelltësia mund të konkurojë me Drimadhesin, plazhi hapet pasi zbret nga një rrugë e ngushtë që gjarpëron mes kodrinave të gjelbërta.

Gjëja e parë që mendon sapo je aty është paqja me natyrën. Kush do të rrijë më shumë mund të imagjinojë të ngrejë për një natë çadrën dhe të shijojë atë parajse te vogel.

Vendosa të zbrisja për të parë se ç‘lidhje kishte kjo mrekulli me shkatërrimin e një mrekullie tjetër. E gjeta aty. Ato ishin zhdukur të dyja.

Ashtu si rruga, as plazhi nuk ishte më. Bri tij lëviznin disa bultozerë që mbanin mbishkrimin “Victoria”.

Në fakt ky emer lidhet me projektin e një kompanie zvicerane që mban logon pompoze ‘Porto Albania”. Ajo ka vendosur të ndërtojë një port jahtesh me 800 vende parkimi, një hotel gjigant me shifrën marramendëse 85 milionë euro, dhe rreth 150 apartamente.

Askush nuk e di se si do të shkojë fundi i kësaj aventure të firmosur nga qeveria Rama n ë 2014. Specialistët thonë se këtu toka është e rëshqitshme dhe nuk mban ndërtime kaq të mëdha. Edhe financimi i ndërmarrë nga tre sipërmarës zvicerane nuk është e sigurtë deri në çpikë do të realizohet.

Por ajo që është e sigurtë është se ky investim deri më tani ka shkatërruar një rrugë të mahnitshme dhe një plazh të papërsëritshëm.

Edhe nëse porti i jahteve përfundon një ditë suksesshëm edhe nëse ai lidhet me autostradë me arterien qendrore që vjen nga Durrësi, përsëri diçka ka vdekur përfundimisht.

Imagjinoni çdo vend tjetër që jep plazhin e tij më të bukur për ta bërë port jahtesh? Zakonisht ndodh e kundërta. Ato ruhen të virgjëra për publikun.

Imagjinoni Toskanën të ndërtojë një autostradë mu përmes bukurisë të kodrave të saj. Aty dhe rrugët e fshatit shpesh lihen pa asfalt për të qenë natyrale.

Këto mendoja teksa kthehesha mes pluhurit me biçiklete në itinerarin kalaja e Turrës Golem. Prapa po lija dy perla që po zhdukeshin nga pak përditë. Atë copëz bregdeti që po betonohej dhe atë xhade mbi kodra që po shkallmohej. Atë pjesë të Shqipërisë së virgjër që po tretet përballë ëndrrës së Shqipërisë turistike. (Lapsi.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme