Një ditë pasi sulmit me armë mbi banesën e gazetares së News 24, Klodiana Lala, ka reaguar organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij për lirinë e informacionit (Reporters Without Borders).
RSF përmes një postimi në Twitter kanë dënuar sulmin me kallashnikov ndaj shtëpisë së gazetares Lala, ndërsa shprehen se autoritetet kanë për detyrë ta mbrojnë atë.
“RSF dënon sulmin me kallashnikov në shtëpinë e Klodiana Lala, një reporterë investigative që mbulon krimin e organizuar në Shqipëri. Autoritetet e kanë për detyrë ta mbrojnë atë dhe të dënojnë sulme të tilla”, thuhet në reagimin e Reporterëve pa Kufij për Europën.
Banesa e prindërve të gazetares, Klodiana Lala, u sulmua në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me kallashnikov, ndërsa janë gjetur në banesë 10 plumba.