“Reporterët pa kufij”: Mediat në Kosovë po vuajnë nga ndërhyrjet politike

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 09:51 | Nga

Organizata “Reporterët pa kufij” ka publikuar sot raportin e saj për lirinë e medies në të cilin Kosova hyn në mesin e shteteve me media pjesërisht të lira.

Mediat në Kosovë, sipas “Reporterëve pa kufij”, vuajnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe tërthorazi nga politika, presioni financiar dhe varësia nga pronarët. Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare shpesh akuzohen si tradhtarë ose “simpatizues të serbëve”.

“Reporterët pa kufij” kanë përkujtuar rastin kur kryeministri Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë në një vizitë që ia bëri ministrit Pal Lekaj në ditët e para të qeverisë së tij, transmeton Koha.net.

“Pak ditë pasi kishte krijuar qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët ‘të pashkollë’ dhe i këshilloi që të kthehen në shkollë”, thuhet në përshkrimin e situatës së mediave në Kosovë.

“Dy gazetarë hulumtues u sulmuan fizikisht pasi me raportime kritikuan anëtarët e qeverisë dhe aleatët e tyre”, thuhet më tej.

“Reporterët pa kufij” gjithashtu raportojnë për ndasitë etnike nëpër media në Kosovë, derisa ka thënë se qeverinë Haradinaj e ka vlerësuar si pak më të mirë sesa qeveritë e kaluara sa i përket marrëdhënieve me mediat.

“Ndasitë etnike të Kosovës shihen nëpër media, në të cilat shqiptarët rrallë shihen duke punuar përkrah atyre serbë. Megjithatë, qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediat në tërësi, për dallim prej dy qeverive të mëparshme, të cilat ishin shumë më pak të hapura për dialog”, thuhet në përshkrimin e Kosovës nga “Reporterët pa kufij”, transmeton Koha.net.

Kosova radhitet në vendin 78-të në listën e “Reporterëve pa kufij”.

Shqipëria ka shënuar ngritje për një pozitë. Nga vendi i 76-të sa ishte vitin e shkuar, tani ajo zë pozitën e 75-të në këtë listë.

Serbia më 2017 ishte në vendin e 66-të, ndërsa tani ka pësuar rënie për dhjetë vende duke u pozicionuar në të 76-ën pozitë.

Maqedonia sivjet është në pozitën e 109-të, duke shënuar ngritje për dy pozita në krahasim me vitin e shkuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme