Për herë të parë një republikan ka kërkuar nisjen e procedurës për shkarkimin e presidentit, Donald Trump. Një procedurë të tillë, të njohur si “Impeachment” e kanë kërkuar më parë edhe shumë demokratë.
Deputeti republikan Justin Amash nga shteti Michigan, është anëtari i parë i Kongresit nga radhët e partisë së presidentit Trump, i cili kërkon shkarkimin e tij.
Ai ka shkruar së fundi 13 mesazhe në twitter ku shpjegon, se këtë vendim e ka marrë pas një “analize të thellë të raportit Mueller”.
Hetuesi i posaçëm, Robert Mueller ka përgatitur së fundmi një raport, në të cilin është hetuar veprimtaria e presidentit Trump në kohën e fushatës elektorale, para zgjedhjeve të vitit vitit 2016, si dhe mundësia e influencimit të këtyre zgjedhjeve nga Rusia.
Presidenti Trump ka ndaluar me një dekret që të publikohet raporti i plotë i hetuesit.
Opinioni është njohur vetëm me disa pjesë të raportit, të cilin ka publikuar ministri i Drejtësisë William Barr, i afërt me presidentin Trump. Kritikët e Trumpit thonë se pikërisht ky dekret ka pamundësuar që opinioni të njihet si duhet me përbërjen e raportit.
Qëllimi i Trumpit, sipas tyre, është që Kongresi të mos fillojë ndonjë inciativë për përgjegjësinë e tij.
“Trumpi ka qenë i përzier”
Kongresmeni Amash shkruan në mesazhet e tij, se me prezantimin e pjesshëm të raportit është pretenduar që opinioni të mashtrohet qëllimisht.
“Për dallim prej prezantimit të Barrsit, raporti i Muellerit dëshmon se presidenti Trump ka qenë i përzier në veprime të caktuara, që paraqet bazë të mjaftueshme për kërkesën që presidentit të shkarkohet nga posti”, shkruan Amash, duke shtuar se ka dëshmi të mjaftueshme për pengimin e drejtësisë.
“Mbi bazën e këtyre dokumenteve, pa fije dyshimi, do të dënohej secili qytetar tjetër i ShBA që nuk është president”, pohon ai.
Amash shkruan se sistemi politik “check and balance” mbështetet pikërisht tek boshti i ndarjes së obligimeve dhe përgjegjësive në pushtet. Ai paralajmëron se drejtësia duhet të mbisundojë, sepse kjo është baza e lirisë. Ky është edhe shkaku pse ai para përkatësisë partiake ka vënë luajalitetin ndaj Kushtetutës së vendit.
Në klimën e përçarjeve ekstreme mes partive, ekziston rreziku që procedura e përgjegjësisë së presidentit dhe shkarkimit nga posti të përdoret më rrallë dhe jo më shpesh, pra nuk ka rrezik nga keqpërdorimi i pushtetit të Kongresit, mendon ai.
Demokratët nuk janë unik
Amash është anëtar i grupit konservator të republikanëve, Freedom Caucus dhe mendon të kandidojë kundër presidentit aktual në zgjedhjet e ardhshme, si kandidat i republikanëve. Amash thotë madje se demokratët janë ata të cilët nuk kanë mendim unik për përgjegjësinë e Trumpit.
Deputetja demokratike Rashida Tlaib, nga Michigeni, ka kërkuar që edhe republikanët tjerë të mbështesin kërkesën për largimin e Trumpit nga posti i tij. Por brenda Partisë Demokratike ka mendime të ndryshme për këto kërkesa.
Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi, paralajmëron se impeachmenti do të thellonte humnerën mes partive në ShBA.
Në historinë e ShBA ka pasur deri tani vetëm dy raste të procedurës për shkarkimin e presidentit nga posti i tij. Me 1868 kundër presidentit Andrew Johnson dhe në vitin 1999 kundër Bill Clintonit, për shkak të aferës me praktikanten Monica Lewinsky.
Në të dy rastet Kongresi ka votuar kundër shkarkimit të presidentit. Ndërsa me 1974, presidenti Richard Nixon e ka evituar një procedurë të këtillë, me dorëheqje për shkak të aferës Watergate.