Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt nënshkruan një Memorandum të Mirëkuptimit në mes të Gjermanisë dhe Kosovës për sektorin e menaxhimit të mbeturinave.
Ata të dy vlerësuan bashkëpunimin e mirë në mes të qeverisë së Gjermanisë dhe asaj të Kosovës deri më tani dhe shprehën dëshirën që ai bashkëpunim të vazhdojë duke u mbështetur në suksesin e aktiviteteve të përbashkëta.
Një projekt kyç i bashkëpunimit gjermano-kosovar në këtë sektor ka qenë projekti i reformimit të menaxhimit të mbeturinave “Gara për Mjedis të Pastër” (GMP). GMP është implementuar gjatë vitit 2016 me një synim të përgjithshëm për të fuqizuar performancën në menaxhimin e mbeturinave në 17 komuna pjesëmarrëse dhe 5 ndërmarrje publike. Vlera e kësaj mbështetje për komunat, si rezultat i performancës së tyre për të përmirësuar kritere të caktuara mjedisore, është rreth 3.4 milion euro në formë të pajisjeve (kamionë, kontejnjerë, etj.), mjete këto që ndahen nga Banka Gjermane për Zhvillim-KfW.
Gjermania do të mbështesë Qeverinë e Kosovës në shërbimet cilësore për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe shërbimet e rregullta për grumbullimin e mbeturinave dhe eliminimin e deponive ilegale.