Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka nënshkruar vendimin për krijimin e hartës zonale në territorin e Kosovës.
Ajo tha se qëllimi i hartimit të hartës zonale është rritja e mirëqenies dhe rritja e cilësisë së jetës së qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
“Është një zhvillim i ekuilibruar i të gjitha rajoneve dhe sektorëve zhvillimore hapësinore. Pjesë e procesit të hartimit të dokumentit do të jetë grupi punues ndërministrorë i cili do të nxjerr pastaj konkluzionet dhe do të vazhdojë me planifikimin e kësaj harte zonale të nivelit qendror. Të gjithë sektorët me rendësi në planifikim hapësinor janë të obliguar të propozojnë përfaqësuesit e tyre të cilët do të mbrojnë dhe do të përfaqësojnë interesat sektoriale në grupe. Paralelisht me krijimin e hartës zonale të Kosovës janë duke u krijuar edhe hartat zonale të komunave të cilat përgjegjës janë komunat e gjithë republikës së Kosovës”, tha Reshitaj, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se komunat janë të obliguara që të bëjnë hartën zonale.
“Ne me një përkushtim të jashtëzakonshëm i kemi informuar komunat që do ti kontrollojmë dje monitorojnë punën që ata janë duke bërë. Ata e kanë për obligim në këtë rast komuna e Prishtinës që të bëjë hartimin e zonës, hartimin e hartës zonale të komunës së Prishtinës. Me procedimin e draft-ligjit për ndërtimet pa leje në kryeqytet mendoj që jemi fut në një fazë tjetër në një ndryshim konkret sa i përket trajtimit të planifikimit hapësinor apo planifikimit urban në këtë rast. Ne presim që ky ligj të futet në fuqi, presim leximin e dytë në kuvend pastaj jemi të gatshëm të fillojmë implementimin”, shtoi ajo.