Me rastin e 18 majit, shënimit të ditës ndërkombëtare të muzeve, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, në bashkëpunim me Autostradën Biennale, ka ndërmarr iniciativën për restaurimin e dy veprave të artit (tapicerive) të autores Valbona Zherka, pjesë e ekspozitës së përhershme në sektorin e galerisë së arteve në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Veprat e autores Valbona Zherka, “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës” të punuara me teknikën thurje klasike e leshit, ishin në gjendje jo të mirë dhe mjaft të dëmtuara, andaj kanë pasur nevojë imediate për trajtim urgjent.
Artistja Valbona Zherka që njëherit është edhe autore do të restaurojë këto dy vepra dhe të njëjtat pas restaurimit dhe dokumentimit të këtij procesi do të rikthehen për ekspozim në ambientet e Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kjo nismë vjen si rezultat i zbatimit të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar ditë më parë nga drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha si dhe drejtuesi i Autostradës Biennale Leutrim Fishekqiu.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren falënderon Autostradën Biennale me theks të veçantë znj. Vatra Abrashi, e cila mori iniciativë për ta ndërmjetësuar restaurimin e këtyre dy veprave me vlerë të veçantë dhe të çmuar për institucionin tonë.