Revista franceze e sportit, So Foot, e ka publikuar një artikull ku shkruan për arritjet e Kombëtares së Kosovës gjatë vitit 2018, pas triumfit në Ligën e Kombeve, ku e siguroi një vend në playoffs për kualifikim në Kampionat Evropian dhe promovimin nga Liga në Ligën C.
So Foot i vlerëson Dardanët si një nga dhjetë Kombëtaret që arritën ta çudisin botën e futbollit gjatë këtij viti përmes sukseseve dhe formës së mirë, duke theksuar rolin e ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, transmeton Gazeta Express.
Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, luftoi që Kosova të bëhet pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s. Ai ishte miqësor dhe aktiv deri në momentin kur vdiq më 9 qershor në Prishtinë në moshën vetëm 58-vjeçare, shkruan So Foot.
Ish-Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, ish-lojtar i Partizanit, Fenerbahces dhe Nimesit, do të kishte dashur shumë ta kishte parë kombëtaren e tij ta përfundojë vitin 2018 e pamposhtur, me shtatë fitore dhe dy barazime, si dhe në krye të grupit të tyre në Ligën e Kombeve.
Skuadra e Dardanëve, e mbushur me futbollistë nga Kosova, Shqipëria, Zvicra e Gjermania, shpërtheu në ndeshjen përfundimtar të Grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve, kur falë një het-triku të Arbër Zenelit arriti fitore kundër Azerbajxhanit me rezultat 4-0.
Në stadiumin e Prishtinës, i cili është emëruar “Fadil Vokrri”, Dardanët kanë qenë mjaft të suksesshëm këtë vit. “Kosova është një lloj sfide që më pëlqen”, ka thënë trajneri i djelmoshave të Kosovës, Bernard Challandes.