Ndërkohë, në portë përveç Sczsesnyt, pritet të afrohet edhe Mattia Perin, që mund të jetë pasuesi i kapitenit legjendar Buffon.
Pasi konfirmoi trajnerin Massimiliano Allegri për të paktën edhe një sezon tjetër, Juventusi ka nisur punë për të bërë një mini revolucion në skuadër, duke parë largimet dhe tërheqjet nga skuadra.
Synimi është që të mbahet një numër i caktuar lojtarësh italianë, si dhe të përforcohet skuadra me elementë të eksperiencës, por edhe të së ardhmes.
Me Buffon tashmë të tërhequr, edhe Chiellini e Barzagli nuk premtojnë shumë, duke parë moshën e tyre, ndërsa janë larguar zyrtarisht edhe Asamoah dhe Lichsteiner, duke bërë që në mbrojtje të krijohet një “gropë” që ka nevojë për t’u mbushur.
Spinazzola e Caldara janë marrë tashmë për këtë repart, por i pari do të rikthehet vetëm në muajin dhjetor, për shkak të një dëmtimi, ndaj bardhezinjtë po mbajnë nën vëzhgim të tjerë elementë për këtë repart.
Ndërkohë, në portë përveç Sczsesnyt, pritet të afrohet edhe Mattia Perin, që mund të jetë pasuesi i kapitenit legjendar Buffon.
Edhe në mesfushë pritet të ketë risi, pasi me ardhjen e Emre Can, në formacion nuk ka vend për Khedirën dhe ky i fundit pritet të kërkojë largimin, për të shkuar në Premier League, ku ka interes nga disa skuadra, transmeton “Albeu.com”.
Gjithashtu edhe Marchisio pritet të largohet nga bardhezinjtë dhe në qendër të vëmendjes janë Cristante dhe Pellegrini, por ëndrra e vërtetë mbetet Milinkoviç-Saviç.
Lazio kërkon rreth 100 milionë euro për serbin, duke bërë që tratativa të komplikohet, por bardhezinjtë do të ishin gati të paguanin këtë shumë, nëse do të mund të shisnin Paulo Dybalën përreth 120 milionë euro.
Sa i përket sulmit, ëndrra e vërtetë është Alvaro Moratta, për të cilin ka dy mundësi të rikthehet në Torino.
E para nëse do të largohet Higuain, që ashtu si Buffon ka zgjuar interesin e PSG-së dhe e dyta, nëse Chelsea do të pranojë ta huazojë me detyrim blerjeje pas dy sezonesh, kur bardhezinjtë të kenë mjaftueshëm para për të paguar.
Juventusi sapo fitoi titullin e 7-të radhazi në Serinë A, por vera pritet të jetë vërtetë “e nxehtë” për bardhezinjtë, që do të kërkojnë konfirmimin, pavarësisht përballjes me një revolucion në organikë.