Bodrumet e garazhet shpesh kanë shërbyer si vende ku formësohen idetë politike nga më radikalet. Vende të tilla janë vende të përshtatshme për ide, të cilat rëndom pjesa më e madhe e shoqërisë i kategorizon si të papranueshme.
Termi “radikal” buron nga fjala latine “radic”, që ka kuptimin e rrënjës. Grupet radikale rëndom synojnë ndryshimin rrënjësor, e që në terme të tjera nënkupton përmbysje sistemi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dy grupe të tilla janë formuar kohët e fundit në pjesën urbane të Prishtinës. Në një bodrum të njërës prej lagjeve qendrore të Prishtinës dy grupe, të cilat vetëquhen radikale, janë organizuar për t’i përhapur idetë e tyre.
Ata e quajnë veten revolucionarë. Njëri i quajtur “Platypus” kategorizohet si grup marksist, ndërsa tjetri anarko-sindikalist – të dyja këto rryma që njihen si të majta radikale. Ky grup i të rinjve, i përbërë prej 5 personave, kryesisht studentë filozofie e sociologjie, kanë krijuar një qendër të quajtur “Sabota”. Sipas tyre, qendra është ideuar si bërthamë për aktivitetet dhe organizimet e tyre.