Pasuria e cila krijohet pas martesës me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjet në fuqi u takon barabartë të dy bashkëshortëve, pavarësisht se në emër të kujt është e regjistruar.
Kështu ka thënë gjatë një intervistë për Telegrafin, Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Në Republikën e Kosovës, nga viti 2016 çështja e regjistrimit të pronës pas lidhjes së kurorës nga një çift është e rregulluar me Udhëzim Administrativ i cili ka për qëllim që të stimuloj regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të dy bashkëshortëve.
Përmes këtij udhëzimi është paraparë të ketë edhe benefite, për të cilat ka folur Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Ky udhëzim administrativ ka parë edhe këto masat lehtësuese. Këto masa lehtësuese kanë pa lehtësime sa i përket pagesave të tarifave, pra kanë paraparë që të lirohet nga pagesa e tarifave për regjistrimin e kësaj prone”, tha Rezniqi për Telegrafin.
Rezniqi ka thënë se megjithëse statistikat tregojnë për rritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve, ata në Linjën për Ndihmë Juridike Falas, kanë pranuar me dhjetëra raste të problemeve të kësaj natyre.
“Mund të them që ne kemi dhjetëra raste brenda vitit që vijnë dhe kërkojnë ndihmë juridike falas për këtë çështje”, tha Rezniqi.
“Gjithmonë pastaj lind një procedurë ekstra, për të dëshmuar që ajo pronë është formuar pas martesës. Por, që parimisht kjo nuk është dekurajuese për gratë. Të gjitha ato që vijnë kur kalojnë të pjesa e pronës, ato thonë që ‘nuk kam asgjë të regjistrume në emër timin’, e ne ua shpjegojmë si e parasheh ligji”, tha ajo.
Regjistrimi i pronës së përbashkët nuk është e detyrueshme, por siç tha Rezniqi edhe në rastet kur prona nuk është e regjistruar në dokumente si e përbashkët, nëse ajo është formuar pas martesës atëherë u takon të dyve. /Telegrafi