Pavarësisht dilemave në lidhje me efektin e rezolutave të Kombeve të Bashkuara, megjithatë ato konsiderohen si dokumente me peshë politike dhe paraqesin pikëpamjet e vendeve anëtare për çështjen e përfshirë në rezolutat e miratuara. E, kur i referohen çështjeve të natyrës humane, ato janë dokumente tejet me peshë e të rëndësishme dhe satisfaksion për viktimat dhe familjarët e tyre, ngase dëshmohet se bota demokratike përveç se distancohet nga krimet siç është gjenocidi, është solidare me ta, i dënon aktet e tilla dhe bënë thirrje të dënohen kryersit si dhe mohuesit e gjenocidit.
Kush e inicioi rezolutën?
Vendet iniciuese të rezolutës ishin Gjermania dhe Ruanda, kurse kësaj nisme i janë bashkuar edhe mbi 30 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe pjesa dërmuese e vendeve të Ballkanit perëndimor si Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia.
Sa i përket gjenocidit në Srebrenicë, në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Srpska. Për këtë krim, deri më tani, janë dënuar rreth 50 persona me mbi 700 vjet burgim.
Inicimi i rezolutës nga këto dy vende (Gjermania dhe Ruanda), është një dëshmi se sa ka përparuar bota demokratike, se tashmë veprimet e tilla gjenocidale ia kanë lënë të së kaluarës, duke u distancuar qartazi dhe fuqishëm nga veprimet e tilla.
Koha që edhe vendet të tjera, siç është rasti me fqinjin tonë verior, nëse nuk janë sponsorizuese, së paku të mos kundërshtojnë akte të tilla, kaq humane, fatkeqësisht kjo duket e largët në horizont.
Rëndësia dhe elementet kyçe të rezolutës
Me anë të kësaj rezolute përveç që shpallet 11 korriku Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenivë, vihet në pah rëndësia e përfundimit të procesit të kërkimit dhe identifikimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe mundësia që ata të varrosen në mënyrë dinjitoze, si dhe bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes ligjore dhe të vihen para përgjegjësisë kryerësit e gjenocidit.
Po ashtu, rezoluta kërkon të dënohet çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë dhe ftohen vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë programe të duhura përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë gjenocidin në të ardhmen.
A pati në Kosovë akte të tilla të gjenocidit sipas Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, si dhe Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale?
Konventa për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 9 dhjetor 1948, në nenin 2, parasheh veprimet të cilat përbëjnë krimin e gjenocidit. Po ashtu edhe neni 6 i Statutit të Romës, apo Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Në të dy këto akte gjenocid konsiderohet cilido nga veprimet e mëposhtme, i kryer me qëllim që të zhduket plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si në vijim:
– vrasja e anëtarëve të grupit;
– lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit;
– vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që duhet të sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij;
– ndërmarrja e masave drejtuar në pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe
– transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga një grup në tjetrin.
Vlen të ceket se në të dy aktet e theksuar më lartë, theksohet se “cilindo nga aktet vijuese”, pra mjafton që së paku njëri nga aktet e ndërmarra të jenë të drejtuara ndaj një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar.
Në këtë aspekt, shtrohet një pyetje: Vrasja e mijëra civilëve shqiptarë gjatë vitit 1998-1999 në Kosovë, pa asnjë faj, ku “faji” i vetëm i tyre ishte që i përkisnin një kombi, përkatësisht një etnie tjetër nga ata që i kryenin këto krime, çfarë është?
Duke qenë se forcat serbe vranë me mijëra civil, dhe të tjerët i deportuan, nuk besoj të ketë dilema se cili ishte qëllimi, pra, krahas njërit nga aktet që përbën gjenocid, vrasja e anëtarëve të grupit, nuk ka dilema se qëllimi ishte zhdukja, nëse jo e tërësishme, së paku e pjesshme e anëtarëve të grupit, e të cilat të dy së bashku (veprimi dhe qëllimi) e përmbushin kushtin e gjenocidit, veprime përkatësisht akte të cilat janë kryer në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999.
Si duhet vepruar?
Aktet ndërkombëtare, duke përfshirë rezolutat, para së gjithash dhe në radhë të parë janë refleksion i pikëpamjeve të shteteve, prandaj, në këtë kontekst, sa i përket akteve të ndodhura në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, përveç asaj çka thonë aktet e cekura më lartë, si dhe asaj që themi ne, është shumë e rëndësishme (mbase determinuese) se çka thonë të tjerët, ata që miratojnë akte të tilla. E në këtë drejtim, vet intervenimi i aleancës së NATO-s, është dëshmi, përkatësisht përgjigje në dhe rreth qëndrimit të shteteve perëndimore sa i përket akteve të kryera në Kosovë.
Andaj, krahas pengesave formale/procedurale, duke mos qenë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e as anëtare e statutit të Romës, vendi ynë duhet me shumë kujdes t’i qaset kësaj çështjeje.
Në këtë drejtim, koordinimi dhe bashkëveprimi me aleatët, duke u nisur nga qëndrimet e tyre, duhet të jetë faktor determinues për çfarëdo iniciative të tillë (qoftë padi apo rezolutë), ndryshe mund të ketë kundër efekt.