Rezoluta e PDK-së për mbrojtjen e së vërtetës historike, partitë me qëndrime të ndryshme për renditjen e saj

Prishtinë | 10 Pri 2026 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Në Kuvendin e Kosovës nuk është duke u arritur dakordim mes grupeve parlamentare që rezoluta e propozuar nga PDK-ja për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999 të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës, raporton Ekonomia Online.

Përkundër mbështetjes për përmbajtjen e rezolutës, partitë parlamentare kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me renditjen e saj në agjendë, duke bërë që të mos ketë konsensus për ta trajtuar atë si pikën e parë në seancë.

VV-ja ka qenë kundër që rezoluta të del si pikë e parë e rendit të ditës, ndërsa partitë opozitare kanë qëne pro që kjo rezolut të dal e para.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se është arritur dakordim për tekstin e rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999 nga të gjitha grupet parlamentare, por kërkoi që kjo pikë të vendoset e para në rendin e ditës.

“Është arritur dakordim për tekstin e rezolutës nga të gjitha GP. Por inisiatojm që kjo pikë të jetë pikë e parë e rendit të ditës. Ju lutem që ta zhvendosni si pikë të parë të rendit të ditës”, tha ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se e mbështesin rezolutën, por kërkoi që ajo të trajtohet sipas rendit të ditës dhe të votohet pasi të ketë dakordim final.

“Propozimin për rezolutën ne e kemi mbështetur, kemi propozuar që t’i dërgojmë deputetët tanë për të dhënë kontributin e tyre në rezolutë. Në këtë pikë unë ju kisha lut që ta lëmë sipas rendit të ditës dhe sapo të kemi dakordimin final ta votojmë. Është paradoksale që të kemi një dokument si pikë të parë”, tha ajo.

Shefja e GP-së së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, propozoi që rezoluta e kësaj partie të trajtohet para marrëveshjeve ndërkombëtare, duke e lidhur me çështjet ekonomike dhe rritjen e çmimeve.

“Ne kemi një propozim që ka të bëjë me rregulloren që kemi diskutuar para një jave në këtë vend për rritjen e çmimit të naftës dhe rritjen e çmimeve të tjera. Për këtë mendoj që rezoluta që kemi propozuar ne të trajtohet para çështjeve ndërkombëtare. Propozoj që kjo të vijë para marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha ajo.

Shefi i GP-së së AAK-së, Besnik Tahiri, tha se grupi i tij mbështet kërkesën e PDK-së për renditjen e rezolutës si pikë të parë.

“Grupi ynë e mbështet kërkesën e PDK-së, qenka lajm i mirë që ekipi që ka përfaqësuar VV në dakordimin e kësaj rezolute, kjo qenka për msysh”, tha ai.

Ndërkohë, Nagavci theksoi se LVV-ja është e gatshme t’i votojë të dyja rezolutat. “Të dy këto rezoluta jemi të gatshme që t’i votojmë si VV”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, shtoi se kjo parti do t’i mbështesë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e miratimit unanim të rezolutës.

“PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, ajo që ne po themi është që miratimi i kësaj rezolute të bëhet në unanimitet. Ne e mbështesim edhe propozimin e LDK-së”, tha ajo.

Pas këtyre diskutimeve dhe kërkesave, shefat e grupeve parlamentare janë tërhequr për konsultime të mëtejshme.

Të ngjashme