Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në seancën e ftuar nga opozita për miratimin e rezolutës për mbështetje për Policinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se rezoluta e propozuar nga PDK-ja e AAK-ja nuk ka të bëjë me gjendjen apo statusin e Policisë së Kosovës.
Ajo tha se këto parti qëllimin nuk e kanë për mirëqenien e Policisë, por qëllimi i tyre është pushteti.
“Që nga java e kaluar Grupi Parlamentar i i PDK-së ka tentuar që të ndryshojë rendin e ditës në seancë për të futur një pikë të cilën nuk e kanë pasur ende të dorëzuar me shkrim, që ka të bëjë me një Rezolutë për kushtet dhe disa prej legjislacionit që ata konsiderojnë tash të nevojshëm për të kaluar për Policinë e Kosovës”.
“Përderisa ky material tashmë është dorëzuar, ne e vlerësojmë se tendenca apo qëllimi i PDK-së dhe AAK-së që nuk votojnë asgjë në Kuvendin e Kosovës, nuk votojnë marrëveshjen ndërkombëtare dhe ligje me rëndësi jetike për qytetarët, nuk ka të bëjë me gjendjen apo statusin e PK-së, por ka të bëjë vetëm me arsyetimin dhe argumentimin e tyre se kinse Qeveria nuk është e angazhuar sa duhet dhe synimi i tyre i vetëm është pushteti dhe jo interesi i shtetit”.
“Ne sot po qëndrojmë në mbi 400 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare të pa votuara, disa prej të cilave janë edhe për mbështetje të drejtpërdrejt të buxhetit të Kosovës, të cilët do të përfitonin të gjitha kategoritë, përfshirë edhe Policinë e Kosovës”, tha ajo.
Enver Dugolli, deputet i kësaj partie, njëherit edhe anëtar i Komision për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se thirrja e kësaj seance është një abuzim i opozitës sepse sipas tij, Policia angazhimin e vetë për rend e ligj asnjë here nuk e redukton në mjete materiale.
Ai tha se Qeveria është duke punuar shumë për Policinë e Kosovës.
“Arsyeja e thirrjes së seancës nga opozita përveç se është e panevojshme në një farë forme tregon edhe një tendencë për të reduktuar suksesin e madh të policisë. Qeveria po punon e është e angazhim që të bëjë zgjidhje për secilën nga kërkesat dhe zgjidhja do të jetë e kënaqshme dhe e arsyeshëm siç është edhe mbështetja e vazhdueshme që Qeveria ka dhënë për Policinë”.
Deputetja Fatmire Kollçaku, tha se sigurimi shëndetësor në kompanitë private nuk është alternativë për Policinë.
Ajo tha se çdo polic në rast aksidenti në punë ka mundësi që të merr të gjitha shërbimet e nevojshme në Kosovë, por edhe jashtë vendit.
“Qeveritë e më hershme kanë dështuar ne impemntin e ligjit për sigurim shëndetësor. Qeveri jon është duke punuar në këtë ligj. Qasja në shërbime shëndetësore është e garantuar për të gjithë. Aktualisht kemi disa kërkesa për sigurim shëndetësor për polic. Ne mendojmë që sa më shpejt të jetësohet ligji për shëndetësor publik. Ne jemi duke punuar për këtë ligj dhe secilin shërbim që në rast asindete i’u garanton shërbime që nuk janë në Kosovës të shkojnë edhe jashtë vendit”, tha ajo.