Rezultatet e zgjedhjeve nuk certifikohen para javës tjetër

Prishtinë | 29 Qer 2017 | 16:30 | Nga

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, sot ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka shpjeguar procedurat të cilat shpijnë deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve.

Daka thotë se pas afro katër ditëve do të mundë që të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Sipas saj, subjektet politike i kanë 24 orë afat që të bëjnë ankesat e tyre rreth rezultatit të zgjedhjeve. PZAP pastaj i ka në dispozicion 72 orë që t’i shqyrtojë ankesat e partive politike apo edhe të kandidatëve për deputetë.

“24 orë i kanë kandidatët, apo partitë, kush konsideron që diçka nuk është në rregull, dhe mandej PZAP i ka 72 orë, d.m.th. që i bie katër ditë deri te certifikimi. Po shohim deri kah përfundimi i javës së ardhshme që t’i certifikojmë”, ka thënë ajo.

E ndërkohë koalicioni fitues ende nuk do të mundë që t’i fillojë bisedimet me subjektet politike rreth formimit të Qeverisë, meqenëse kanë mbetur edhe rreth katër ditë deri në certifikimin e rezultateve të publikuara sot të cilat do t’i japin rrugë formimit të Qeverisë.

Vetëm pas kësaj mandatari do të ketë mundësi që t’i fillojë negociatat për t’i siguruar numrat rreth krijimit të Qeverisë.

Sipas rezultateve, koalicioni PAN do të ketë 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje 32 ulëse dhe koalicioni LAA do të ketë 29 ulëse.

Dalja e votuesve në zgjedhje, sipas të dhënave të KQZ-së, ka qenë mbi 750 mijë apo rreth 42 për qind qytetarë, derisa të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 872 mijë qytetarë të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme