Rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit mungojnë, ka vetëm spektakle

Prishtinë | 28 Mar 2017 | 17:52 | Nga

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë, të martën, ka mbajtur tryezën me titull “Luftimi i korrupsionit: “Peshqit” e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë”.

Sipas një njoftimi, në këtë tryezë, u publikua raporti “’Deti’ i korrupsionit në Kosovë: “Peshqit” e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë”, si rezultat i monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor.

IKD bën të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar ka monitoruar 1505 seanca gjyqësore në 383 raste të korrupsionit, ku kanë qenë përfshirë 989 persona të pandehur, në të gjitha Gjykatat Themelore në Kosovë.

Gjatë kësaj tryeze, përcjell Telegrafi, thuhet se u diskutua për performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.

Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka prezantuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e monitorimit sistematik të trajtimit të rasteve të korrupsionit nga gjykatat dhe prokuroritë.

“Përkundër politikave të miratuara dhe shprehjes së vullnetit deklarativ nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial në luftimin e korrupsionit, rezultatet konkrete në luftimin e tij, veçanërisht të korrupsionit të profilit të lartë ende mungojnë. Viti 2016 ka vazhduar me spektakle, luftë komunikatash dhe statistikash kundër korrupsionit. Prokurori i Shtetit gjatë këtij viti, mbi 60% të rasteve të korrupsionit i ka hedhur kallëzimet penale apo i ka pushuar hetimet”, ka thënë ai.

Sipas tij, numri më i madh i aktakuzave lidhen me vepra penale të korrupsionit të nivelit të ultë, në ato raste kur i takojnë nivelit të lartë, mungojnë aktgjykimet dënuese.

Në mbi 60 % të rasteve të korrupsionit, ka shtuar ai, aktakuzat dështojnë në gjykata, duke mos u provuar dhe mbrojtur nga prokurorët.

E ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ka thënë se në vitin 2016, numri i aktakuza të ngritur ka shënuar rritje, mirëpo sipas tij, bazuar në të gjeturat të raportit të IKD-së, vështirë se mund të gjenden rezultate, duke i cilësuar si shqetësuese të gjeturat e raportit për vitin 2016.

“Kur shohim këtë raport, rezultate është vështirë t’i gjesh. Ka mungesë të luftimit të korrupsionit, edhe në anën tjetër zgjedhja e kryetarëve të gjykatave është vështirë e sqarueshme. Përmirësimi në gjyqësor duhet të vijë nga njerëzit e gjyqësorit që të krijohet besim tek qytetarët. Kjo është lehtë e realizueshme por duhet të ketë vullnet, nga fjalimet e mira të kalohet në veprime”.

Tutje, Ambasadori O’Connell shtoi se Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor duhet t’i kushtojnë rëndësi hartimit të legjislacionit sekondar, dhe të bëjnë vlerësimin e performancës së prokurorëve dhe gjykatësve në baza vjetore, e jo vetëm për raste specifike.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha tha se Kosova nuk bën përjashtim sa i përket pranisë së korrupsionit, dukuri kjo që sipas saj e ka dëmtuar dhe po e dëmton institucionet, por edhe qytetarët.

Të ngjashme