I dërguari i Posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, do të takohet sot me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe atë të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa.
Takimin e parë do ta zhvillojë me Albin Kurtin në selinë e Vetëvendosjes në Prishtinë, dhe këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i këtij subjekti, Arlind Manxhuka, njofton Klan Kosova.
Ndërsa takimi i Richard Grenell me Isa Mustafën është paraparë gjithashtu në selinë qendrore të LDK-së në Prishtinë.
“Richard Grenell-in] Do ta informojmë lidhur me rrjedhën e diskutimeve me VV-në, por pavarësisht çka ndodhë nesër, edhe pas ditës së nesërme do të ketë akoma shpresë nëse të dy palët i qasen dialogut me qëllim të arritjes së marrëveshjes”, u shpreh një ditë më parë nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani rreth vizitës së Richard Grenell.
Emisari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, arriti dje në Kosovë ku edhe e kishte një darkë pune me presidentin Hashim Thaçi.
Richard Grenell pas kësaj darke, duket se ka qenë i qartë për taksën 100 % duke kërkuar që ajo të hiqet.
”Falemnderit, president. Ne duhet të bëjmë progres – që përfshin edhe heqjen e taksës”, shkroi ai në llogarinë e tij në Twitter.