Ka diçka në ajër këto ditë që na bënë të kuptojmë se verës i erdhi fundit, shtatori ka hyrë me të dyja këmbët dhe se është momenti të merren disa përgjegjësi.
Ankthi për përfundimin e verës dhe tensioni për fillimin e një viti të ri, që në shumë fusha përfaqësohet nga shtatori, prek të gjitha moshat.
Për fëmijët në moshë shkollore dhe prindërit e tyre për shembull, gushti dhe fillimi i shatorit është një periudhë plotë me emocione, pritshmëri, por edhe frikë.
Fëmijët edhe prindërit janë të përshirë nga një përzierje e ankthit me emocionet. Të dyja palët janë në fazë përgatitjesh, si për sa i përket librave e veshjeve, po ashtu edhe për ndryshimin e rutinës së tyre të përditshme.
Për të na shpjeguar këtë ndjesi që ka përfshirë shumë prej nesh, por edhe për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve dhe prindërve, ne kemi folur me Adelina Pjetra. Ajo është diplomuar si Psikologe Klinike në Universitetin e Tiranës. Aktualisht e ushtron këtë profesion në klinikën e saj private, ku ofron shërbime psikologjike në trajtimin e problemeve të shëndetit mendor.
– Adelina, në këtë periudhë, kuptojmë se pushimeve u erdhi fundi, ndaj për këtë arsye për disa njerëz, ky mund të jetë një periudhë e vështirë për shkak të anktheve dhe tensioneve të pashpjegueshme. Pse ndodh kjo?Në këtë bisedë për Dita-n Adelina tregon se çfarë ndodh me njerëzit në këtë periudhë, pse shumë ndihen pa energji dhe si mund të kalohen këto ditë të vështira…
Imagjinoni sikur një ditë ju zgjoheni më vonë se ditët e tjera , dhe gjatë gjithë ditës do të shikoni se ndiheni të lodhur, pa dëshirë për të bërë diçka dhe shumë të dembelosur. Pak a shumë diçka e tillë ndodh edhe me mbarimin e pushimeve dhe rifillimin e punës dhe shkollës. Ndryshimi i programit ditor , shkurtimi ditës dhe zgjatja e natës , fillimi i një rregulli të ri ditor me plane dhe projekte të reja , sjell pak ankth dhe stres. Një lloj dyzimi midis të njohurës dhe të panjohurës , pritshmërive ndaj arritjes së qëllimeve dhe objektivave të dëshiruara pas rikthimit në punë dhe në shkollë janë të gjitha faktorë që ndikojnë që të përjetohet kjo ndjesi apo gjendje psikologjike.
-Për të rriturit fillon puna, për fëmijët shkolla. Ndryshojnë përjetimet, apo të dyja palët kanë ankth?
Në të dyja rastet kemi përjetim ankthi . Si rifillimi i shkollës nga fëmijët /studentët dhe rifillimi i punës nga prindërit parashikon fillimin e diçkaje të re, një klasë më lart, shokë të rinj, mësues të rinj, lëndë të reja etj, dhe për prindërit sfida dhe objektiva të reja në vendin e tyre të punës. Dhe siç ndodh në shumicën e rasteve , “e reja dhe e panjohura” shoqërohen me ankth dhe përjetim emocionesh të forta.
-Mund ta quajmë një lloj depresioni këtë që na ndodh të gjithëve?
Nuk do të guxoja të vendosja një term të tillë për këtë gjendje që përjetohet. Është më se normale që në këtë periudhë të përjetohen emocione dhe frikëra të tilla. Kjo është një gjendje e përkohshme e cila kthehet në normalitet në një kohë mjaft të shkurtër.
-Kush ka më shumë ankth, prindërit apo fëmijët me rastin e fillimit të shkollës?
Nga vëzhgimet e mia kohët e fundit, kam ndjerë që prindërit shprehin dhe përjetojnë më tepër ankth për rifillimin e shkollës së fëmijëve të tyre. Mund t’i dëgjosh të shprehen në çdo ambient për ndjenjat dhe mendimet që po përjetojnë. Ata duan më të mirën për fëmijët e tyre në çdo aspekt, si në atë akademik po ashtu edhe në atë psiko-social. Fëmijët duke dëgjuar prindërit të shprehen në këtë mënyrë , fillojnë të ndjejnë ankth më tepër. Pasi fëmijët duke parë prindërit si po e përballojnë këtë fillim shkolle kuptojnë që kjo situate është e rëndësishme dhe duhet të tregojnë kujdes. Fëmijët modelojnë prindërit e tyre në mënyrën se si i përballojnë situatat e reja në jetë.
-Po më fëmijët që fillojnë për herë të parë shkollën, çfarë ndodh?
Kjo mbetet një sfidë më vete, që shoqërohet me emocione të bukura të gërshetuara me frikë. Frikë si do të përshtatet fëmija me mësuesen , nxënësit e tjerë , a do të përqendrohet dot gjatë gjithë kohës në mësim , a do të mësojë dhe të jetë në të njëjtin nivel me bashkëmoshatarët e tjerë? Këto janë disa nga pyetjet që shqetësojnë më tepër prindërit e tyre. Për sa i përket vetë fëmijëve që fillojnë klasën e parë, në shumicën e rasteve ata ndihen shumë mire dhe më entuziastë. U pëlqen ideja që tashmë janë më të rritur, janë në shkollë dhe jo në kopsht. Për ta është një hap i rëndësishëm dhe e mirëpresin më me entuziazëm. Por ndodh që të ketë edhe fëmijë që nuk arrijnë të përshtaten shpejt, ndihen në ankth dhe nuk dëshirojnë të qëndrojnë në klasë.
-Sa mund t’i ndihmojnë prindërit në këtë situate dhe si?
Sugjeroj që prindërit të bëjnë një përgatitje psikologjike të fëmijëve të tyre para fillimit të shkollës duke theksuar gjërat pozitive në lidhje shkollën, të tilla si takimi dhe qëndrimi me ndonjë shok/shoqe të vjetër që nga kopshti,apo takimi dhe njohja me shokë të rinj të klasës, blerja e materialeve të reja shkollore, përfshirja në sport dhe aktivitete të tjera. Gjithashtu do të sugjeroja që prindërit së bashku me fëmijën që fillon klasën e parë , të bënin një vizite në shkollën ku fëmija do të ndjekë studimet disa ditë para fillimit të mësimit, në mënyrë që ai/ajo të ambientohet me ambientet e reja, të shikojë klasën ku do të qëndrojë , mundësisht të takojë edhe ndonjë nxënës tjetër që do të jetë në të njëjtin grup me të. Të prezantohet me mësuesen e tij, dhe me aktorët e tjerë të stafit akademik , ose të mirëmbajtjes dhe të sigurisë. Në këtë mënyrë fëmija nuk do të ndjejë ankth dhe frikë, që papritur do të gjendet në një ambient të ri dhe me persona të panjohur, dhe tranzicioni nga kopshti në shkollë do të bëhej më i lehtë.
-Është normale që fëmijët të përjetojnë ankth në fillimit e shkollës?
Është më se normale që të jenë pak ankthioz ashtu siç ndodh në çdo situatë të re,Por mund të ndodhë që disa fëmijë të zhvillojnë simptoma të vërteta fizike, të tilla si dhimbje koke ose dhimbje stomaku, që lidhen pikërisht me fillimin e shkollës. Në të tilla raste kur vihet re që ankesat e fëmijës shkojnë përtej lëkundjeve normale që ndodhin me rifillimin e shkollës, prindërit duhet të flasin me një specialit si mjekun e familjes ose psikologun e shkollës.
-Si duhet të sillemi me ta?
Duhet të tregohemi të aftë dhe të gatshëm për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Ti bëjmë të kuptojnë që ne jemi aty për ta në çdo moment , dhe mund të mbështeten tek ne (prindërit). Ti shpjegohet që këto shqetësime dhe ndjenja që ai ka ,janë më se normale , dhe nuk është i vetmi që ndihet në këtë mënyrë , ka edhe fëmijë të tjerë që ndihen po njësoj. T’i thuhet që kjo është një periudhë kalimtare dhe që shumë shpejt do t’i kthehet normalitetit si çdo ditë tjetër ku çdo gjë do jetë më e qetë dhe më e lehtë për t’u kuptuar.
-Nga ana tjetër edhe prindërit vetë përfshihen, duhet të bëjnë gati fëmijët, librat, veshjet…
Për të ndihmuar në lehtësimin e shqetësimeve të rikthimit në shkollë , prindërit duhet të përpiqen të krijojnë për fëmijët një rutinë të vazhdueshme të orarit për të fjetur gjumë më herët pak javë përpara fillimit të shkollës.
Prindërit duhet të sigurohen që fëmijët e tyre :
Të flenë mjaftueshëm (të vendosësh një orar të arsyeshëm kur duhet të flejnë në darkë , në mënyrë që ata të kenë pushuar mirë dhe të jenë të gatshëm për të mësuar në mëngjes)
Të marrin një mëngjes të shëndetshëm (ata janë më të vëmendshëm dhe janë më produktiv në shkollë nëse hanë një mëngjes të mirë çdo ditë )
Përdorimi i një kalendari muri ose një axhende personale për të shënuar kur caktohen detyra apo,kur do të jepen teste, kur do të mbahen praktika jashtëshkollore dhe provime etj.
Fëmijët të jenë të organizuar dhe të bëjnë gati gjithçka çfarë ju nevojitet për të nesërmen që një natë më parë (detyrat e shtëpisë dhe librat duhet të futen në çantë ,dhe rrobat për të nesërmen duhet të jenë gati dhe të vendosen në dhomat e tyre të gjumit )
-Një rol të rëndësishëm luajnë edhe mësuesit. Si duhet të sillen ata më fëmijët që shfaqin ankth si pasojë e fillimet apo rifillimit të shkollës?
Roli i mësuesve është shumë i rëndësishëm në këtë proces, krijimi i një marrëdhënie dhe komunikimi të shëndetshëm me nxënësit do të mundësonte shprehjen më të lire të ndjenjave dhe shqetësimeve që përjetojnë këta të fundit. Të ndihen të dëgjuar dhe të mbështetur është ndihma më e madhe që mund të japë një mësues. Patjetër në disa raste do të jetë i nevojshëm edhe referimi tek psikologu i shkollës për një trajtim më të specializuar të rastit. Bashkëpunimi midis mësues-nxënës-prind dhe psikolog do ishte idealja për kapërcimin e çdo vështirësie gjatë të gjithë vitit akademik.
-Sa ndikon mbipopullimi i qytetit, trafiku i shtuar, lëvizjet e shumta?
Individë të ndryshëm përjetojnë ankth nga faktorë të ndryshëm. Jetojmë në një kohë ku zhurma dhe kaosi i trafikut tashmë janë bërë pjesë e jetës tonë. Në pamje të parë duket edhe sikur kemi arritur të përshtatemi. Përjetimi ankthit në momente të caktuara të jetës tonë ,është diçka normale dhe e pritshme. Shqetësuese bëhet kur zgjat në kohë dhe sjell ndryshime në përditshmërinë apo mënyrën e jetesës së individit.
Adelina, a kalohet lehtë kjo periudhë. Si mund të dilet nga kjo gjendje, dhe cila do të ishte mënyra më e mirë për t’ju rikthyer jetës së përditshme të punës?
Tranzicioni nga një periudhë pushimesh në një periudhe detyrimesh dhe përgjegjësish nuk është i lehtë. Si çdo gjë, edhe ky tranzicion kërkon kohën e vet që të qetësohet. Në përgjithësi kjo është një periudhë e shkurtër që kalon shpejt mund të marrë një javë ose dy. Në rastet kur zgjat më shumë në kohë, sugjeroj që individët të marrin në konsideratë një konsultë psikologjike, të kërkosh ndihmë në momente që ndihesh i lodhur, i humbur, pa ide është gjëja më e mirë që mund t’i dhurosh vetes. Të menduarit pozitiv, meditimi , ecja në natyrë, regjimi në të fjetur dhe në të ushqyer, takimi dhe qëndrimi me miq pozitiv që gjithmonë nxjerrin më të mirën nga ju , sigurisht do të ndihmonte në një rifillim më të qetë të punës dhe përditshmërisë tuaj. (Entela Resuli/Dita)