Në rigjykimin ndaj Arlind Ahmetit, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje, në seancën e së enjtes ka filluar dëgjimi i vëllait të të ndjerit, dëshmitarit Bear Sahiti.
Në këtë rast, i akuzuar është edhe Agron Vllasaliu, por i njëjti gjendet në arrati.
Në seancën e së enjtes, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Ilaz Beqiri, dëshmitari Sahiti deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë para trupit tjetër gjykues në shqyrtimin e kaluar.
Kur është pyetur nga ana e prokurorit Beqiri, se a ka për të shtuar diçka, i njëjti deklaroi: “Kisha pas me shtu, po jo në qit fazë, jo sot”.
E pasi të njëjtit iu bë me dije se tani është koha kur ai dëgjohet në cilësi të dëshmitarit, e se tani duhet të deklarohet për çështjen penale, i njëjti tha se nuk ka asgjë për të shtuar.
Kurse, prokurori Beqiri, deklaroi se në gjykimin e kaluar ky dëshmitarë është deklaruar hollësisht e se prokuroria nuk ka pyetje të tjera shtesë për të.
Qëndrim të njëjtë me prokurorin Beqiri ka pasur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar.
Ndërkaq, avokati Hoxha deklaroi se propozoi që meqenëse prokurori veçse ka një seancë tjetër për caktim paraburgimi në orën 10:30, gjykimi të ndërpritet për të vazhduar një ditë tjetër, ku mund të dëgjohet dëshmitari.
“E kom një propozim konstruktiv. Unë sa po kuptoj ndër të tjera tha se kam çka me thënë po jo sot , nashta nuk është i përgatitur, nashta nuk dihet mirë, gjithashtu kuptum që prokurori ka seancë prej 10:30 për caktim paraburgimi nëse e shihni të arsyeshme vazhdimin e dëgjimit për një seancë tjetër unë pajtohem që seanca të ndërpritet dhe të vazhdojmë ekzaminimin e dëshmitarit një seancë tjetër”, ka thënë ai.
Mirëpo, kundërshtime për këtë propozim të avokatit Hoxha ka shprehur prokurori Beqiri.
“Është e vërtete se në 10:30 kam seancë për caktim të paraburgimit, mirëpo arsyeja se pse mbrojtja kërkon që të shtyhet marrja në pyetje e Bear Sahiti për një ditë tjetër nuk është e arsyeshme, ngase me këtë çështje penale jemi duke u ballafaquar qe gati 4 vite edhe tash avokati duhet të besoj se është i përgatitur për të shtruar pyetje çka ka me shtru”, ka thënë ai.
Ndërkaq, avokati Hoxha u kundërpërgjigj duke thënë : “15 minuta janë në pyetje, mos me nisë, mos me lënë në gjysmë”.
Ky propozim i avokatit Hoxha është refuzuar nga trupi gjykues dhe seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëmtuarit- dëshmitarit.
Tutje, avokati Hoxha ka pyetur dëshmitarin nëse ai dhe vëllai i tij i ndjerë e kanë njohur më herët, para ngjarjes, Arlind Ahmetin
“Vëllai u njoftë përpara me to. Jom taku edhe unë nja- dy tre herë me të akuzuarin”, ka thënë ai.
Kur është pyetur se çfarë raporte ka pasur i ndjeri me të akuzuarin, dëshmitari u përgjigj duke thënë: “S’më ka thanë çfarë raporte ka pas, as se kam vet kush është ky”
E me leje të trupit gjykues, avokati Hoxha ka bërë ballafaqimin e dëshmitarit me deklaratën e dhënë në shqyrtimin paraprak ku në pyetjen e avokatit “a kanë pas raporte të mira, çka të ka thënë i ndjeri?”, përgjigja e dëshmitarit ka qenë: “sa kam qenë unë me të janë përshëndetur në mes veti, por jo se kanë pasur ndonjë problem apo mosmarrëveshje mes veti”.
Avokati Hoxha e ka pyetur se a ka deklaruar kështu në dëshminë e tij të mëhershme.
“Janë përshëndet dhe kurgjo më shumë, nuk kam njohuri çfarë raporte kanë pas”, ka deklaruar dëshmitari.
Ndërkaq, tha se nuk ka pas njohuri se a kanë pas mosmarrëveshje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në deklaratën e dhënë me 3 janar 2019, ndër të tjera keni deklaruar se vëllai juaj atë natë ka fol në telefon me dikë dhe se keni kuptuar se po flet me të akuzuarin, pyetja është: A e ka thirrur vëllai juaj të mbrojturin tim me telefon atë natë për tu takuar në vendin ku ishit duke qëndruar ju?”, ka pyetur avokati Hoxha.
“Me sa më kujtohet po”, ka thënë dëshmitari.
“Për aq sa të kujtohet a ka pasur më shumë se një thirrje drejtuar nga vëllai juaj te i mbrojturi im?”, e ka pyetur tutje avokati, për cka dëshmitari u përgjigj: “Nashta edhe ka pas, nuk më kujtohet tash”.
Duke u përgjigjur në pyetje të avokatit Hoxha, dëshmitari konfirmoi se vëllai i tij dhe i ndjeri janë takuar atë natë para se të ndodh rasti më shumë se një herë.
“Keni deklaruar “pas thirrjes telefonike, i akuzuari Arlind ka ardhur menjëherë, nuk është vonuar shumë, doli vëllai im nga lokali”, a keni deklaruar kështu”, ka pyetur avokati Hoxha, e dëshmitari e ka pohuar këtë.
Më pas, prokurori Beqiri ka kërkuar që seanca të ndërpritet, me arsyetimin se ka seancë për caktimin e masës së paraburgimit e që është e natyrës urgjente, ku me këtë propozim janë pajtuar edhe palët.
Ndryshe, në fillim të seancës, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ilaz Beqiri, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm për vrasje të rëndë.
Ndërkaq, fajësinë e ka pranuar për armëmbajtje pa leje, ku pranimi fajësisë pas marrjes së mendimit të palëve në procedurë, është aprovuar nga ana e trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi.
Tutje, gjykimi ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.
Prokurori Ilaz Beqiri, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse që ka dhënë në shqyrtimin gjyqësor paraprak në këtë çështje penale.
Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Nexhmedin Sejdiu ka deklaruar se në këtë rast bëhet fjalë për humbjen e një jetë të një të riu 33 vjeçar, i cili natën kritike është privuar nga jeta nga i pandehuri Agron Vllasaliu që gjendet në arrati, në bashkëkryerje me tani të pandehurin tjetër Arlind Ahmeti.
“Prandaj, marrë parasysh se çështja penale në fjalë është trajtuar dhe shqyrtuar njëherë dhe tani gjendemi në fazën e rigjykimit, i them trupit gjykues se kjo çështje në plotni do të vërtetohet ashtu sikur që shkruan në dispozitivin 1 dhe 2 të aktakuzës”, ka thënë ai.
Sipas tij, çështja penale në fjalë me pa mëdyshje do të vërtetohet edhe nga provat që do të administrohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, si atyre deklarative edhe atyre materiale, me të cilat disponon kjo gjykatë.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Ahmetit, avokati Asdren Hoxha deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalëve hyrëse të dhëna më herët në seancat e kaluara, më 20 shtator 2018 dhe më 20 shkurt 2020.
“Duke shtuar se duhet të gjithë ta kemi të qartë se para së gjithash mua personalisht më vie keq se ka ndodh ky rast, ndjej keqardhje si njeri dhe si person. Gjithashtu, edhe i mbrojturi im shumë herë ka deklaruar se ndjen keqardhje dhe kuptojmë dhimbjen e familjes Sahiti, por gjithashtu duhet të kemi parasysh se i mbrojturi im Arlind Ahmet nuk e ka privu nga jeta të ndjerin, aq më pak të ketë shtënë në drejtim të tij”, ka thënë ai.
Sipas tij, i mbrojturi i tij në asnjë mënyrë nuk mund të ndihet përgjegjës për veprën penale aq të rëndë që e ka akuzuar prokuroria.
“Nga provat në shkresat e lëndës nuk mund të vërtetohet marrëveshja paraprake për ta kryer këtë vepër penale e që edhe në aktgjykimin e kaluar kjo gjë nuk është arritur të vërtetohet ngase nuk ekzistojnë provat që dëshmojnë një gjë të tillë. Në administrim e sipër të të gjitha provave në shkresa të lëndës përfundimisht do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim për veprën penale të përshkruar në pikën 1 të kësaj aktakuze”, ka thënë ai.
Seanca e ardhshme pritet të mbahet me 21 maj, me fillim nga ora 9:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, ky rast më parë është gjykuar nga gjykatësi Vesel Ismaili, i cili tanimë është avancuar në Departamentin Special.
Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, përmes aktvendimit, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit të vitit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
“Kjo për faktin se gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin, nuk janë dhënë arsyet për çdo pikë të aktgjykimit dhe gjykata nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i ka konsideruar të vërtetuara apo të pa vërtetuara, nuk ka vlerësuar dhe arsyetuar saktësinë e provave kundërthënëse si dhe arsyet e mos miratimit të propozimeve konkrete të palëve, shkelje këto që kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhet në vendimin e Apelit.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 25 nëntori 2017, e tutje.
Përkatësisht, për shtytje në vrasje të rëndë ai është dënuar me 16 vjet burgim, kurse me një vit e gjashtë muaj burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje.
Por, të pakënaqur me rikualifikimin e veprës penale kishin qenë Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Asdren Hoxha, të cilët përmes ankesave të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë kishin kërkuar kthimin e çështjes në rigjykim.
Në seancën e mbajtur më 17 tetor 2019, kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka shqyrtuar ankesat e prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit.
Gjatë kësaj seance, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hoxha kishte deklaruar se aktgjykimi është kundërthënës dhe i bazuar në mendime e supozime dhe jo në prova.
Sipas tij, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i arsyetuar sa duhet dhe se bazohet në prova të papranueshme, pasi që sipas tij, gjykata ka bazuar vendimin e saj, në prova të cilat fare nuk i kishte administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Hoxha kishte shtuar se gjykata me rastin e ricilësimit të veprës penale, ka tejkaluar akuzën, duke shkelur kështu ligjin penal në dëm të të pandehurit, madje sipas tij, ricilësimi është i gabuar pasi që me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetojë se i mbrojturi i tij e ka shtyrë, kryerësin në kryerjen e veprës penale.
Por, që lidhur me këtë Gjykata e Apelit ka konstatuar se nuk është tejkaluar akuza në dëm të të pandehurit.
“Kjo gjykatë nuk pajtohet me mbrojtjen se në rastin konkret kemi të bëjmë me tejkalim të akuzës, meqë siç dihet i akuzuari Arlind është akuzuar nga ana e prokurorisë për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 179 par.1 pika 1.5 lidhur me nenin 31 të KPRK, ndërsa është rikualifikuar në veprën penale të Shtytjes në kryerjen e veprës penale nga neni 179 par.1 nën. Par 1.5 e lidhur me nenin 32 të KPRK, e që në këtë rast shtytja është formë e kryerjes së veprës penale bazë që në këtë rast është Vrasja e rëndë dhe në aspektin e sanksionit penal nuk shkon në dëm të akuzuarit”, thuhet në vendim.
Ndryshe, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.
Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këtë, para se të rikualifikohej vepra penale, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.
Me këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi