Më 28 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar seancën fillestare në rastin e njohur si “Apex”, në të cilin akuzohen 11 persona për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.
Caktimin e seancës e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari i kësaj çështje penale, Vehbi Kashtanjeva. Ai njoftoi se seanca e rastit “Apex” është paraparë të mbahet më 28 shtator, në ora 9:00.
Ndërkaq, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të pandehurit Arben Krasniqi, avokati Arianit Koci, tha se nuk ka asnjë informacion nëse është caktuar apo jo seanca e këtij rasti, pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit.
Ndryshe, procedura e rastit “Apex” ishte pushuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2016, me arsyetimin se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ishte ngritur jashtë afatit ligjor të hetimeve prej dy vjetësh.
Mirëpo, pas ankesës së prokurorisë, kolegji i Apelit në prill të vitit 2016, kishte vendosur që ky rast të kthehet në rivendosje.Apeli me shumicë votash kishte konstatuar se ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme të cilat e justifikojnë pranimin e kësaj aktakuze së ngritur me vonesë prej pak ditësh, duke konsideruar se një vonesë e tillë nuk i provon të pandehurit nga e drejta për gjykim të drejtë.
Aktakuza e ngritur nga prokurori i EULEX-it, Allen Cansick, i ngarkon Arben Krasniqin dhe Astrit Krasniqin se si pronar të kompanisë së kazinos “Apex” “Play4Win”, që nga viti 2008 e deri në 2013 kanë ushtruar aktivitete kriminale si pjesë të grupit të organizuar kriminal.
Sipas aktakuzës ky grup kishte detyruar bizneset apo individët e tjerë që t’i mbyllin kazinot e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit me qëllim të përfitimit material të jashtëligjshëm për kazinot e kompanisë “Apex”.
Sipas prokurorisë, në po të njëjtën periudhë kohore, Arben Neziri, Avni Morina, Mujë Berisha, Gani Zekiraj, Kushtrim Hakaj, Agron Hoxha, Arsim Molliqaj, Ilir Morina dhe Luan Halilaj kanë marrë pjesë në aktivitetet e këtij grupi të organizuar kriminal edhe pse të njëjtit e kanë ditur se një pjesëmarrje e tillë do t’i kontribuonte arritjes së qëllimeve të veprimtarisë kriminale.
Në bazë të aktakuzës së ngritur më 3 prill 2015, Arben Krasniqi bashkë me Ragip Alushaj në mes të shtatorit dhe tetorit të vitit 2008 kanë përdorur kërcënime serioze për ta penguar policin Enis Lluka, gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare.
Tutje, në korrik të vitit 2013, Arben Krasniqi, Astrit Krasniqi dhe Gani Zekiraj, kanë detyruar dëshmitarin N, që i njëjti të informoi Agjencinë Kosovare të Pronës (AKP) për tërheqjen e tij nga një kontratë për përdorimin e tokës së njohur si “kinema verore”.
Të pandehurit e lartpërmendur duke e abuzuar verbalisht dhe duke i shkaktuar dëme shëndetësore këtij dëshmitari, e kanë detyruar të njëjtin që të ekzekutojë të drejtën e tij për të marrë me qira tokën e njohur si “kinema verore”.
Sipas aktakuzës, në tetor të vitit 2013, Arben e Astrit Krasniqi dhe Arben Neziri, kanë detyruar me dhunë dëshmitarin O për të bërë një pagesë në vlerë prej 20.000 eurosh për Astrit Krasniqin.
Në dispozitivin e fundit të aktakuzës thuhet se më 28 tetor 2013, në shtëpinë e Arben e Astrit Krasniqit dhe Arben Nezirit, janë gjetur pistoleta dhe municione të llojit të ndryshëm. Madje në shtëpinë ku banon Neziri, është gjetur edhe një sasi e substancës narkotike, e llojit kokainë.