Rikthehen operimet në QKUK, kirurgët pezullojnë grevën deri në prill

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

I gjithë plani operativ në klinikat e QKUK-së nga sot do të nisë të realizohet pas rreth dy muaj grevë të kirurgëve të cilët kërkonin paga sa të prokurorëve e gjyqtarëve.

Në mbledhjen e mbajtur sot para disa minutash Këshilli Grevist i Kirurgëve ka vendosur që të pezullojë grevën deri në muajin prill.

Për një gjë të tillë kirurgët kanë thënë se pas pak do të dalin me komunikatë megjithatë burime të gazetës Koha Ditore kanë konfirmuar se tashmë janë pajtuar që për dy muaj të gjendet modaliteti për pagesë shtesë jashtë pagave. Kirurgët kanë kërkuar nga MSH-ja që të kompensohen financiarisht edhe për mentorime klinike e për rrezikshmëri.

Megjithatë një gjë e tillë mund të jetë e parealizueshme për shkak të kostos financiare. Kjo pasi që ligjërisht për rrezikshmëri duhet të paguhen shumë profile mjekësore. Në mesin e tyre janë profilet që punën e tyre e zhvillojnë në mjedise me rrezatime jonizuese siç janë klinika e Radiologjisë, Onkogjisë, Mjekësia Nukleare, reparti i Kardiologjisë Invazive e të tjera.

Me rrezikshmëri konsiderohet edhe Klinika Infektive, e Pulmologjisë, Emergjenca, Psikiatria e të tjera. Pagesa për rrezikshmërinë siç përcaktohet me bazën ligjore për të gjitha shërbimet e jo vetëm për Kirurgjinë do të ketë kosto të lartë financiare. Edhe kërkesa tjetër për kompensim për mentorim klinik ka vështirësi në realizim. Kjo pasi që aktualisht mjekët specialistë që e mentorojnë një specializantë gjatë studimeve marrin kompensim shtesë.

Por, siç ka mësuar gazeta, kirurgët po kërkojnë që jo vetëm mentori i caktuar por të gjithë kirurgët që futën në sallë, ofrojnë shërbime, përcaktojnë diagnoza të shoqëruar nga studentët në specializim të paguhen shtesë për angazhimin e tyre. Një gjë e tillë mund të këtë kosto shumë të lartë duke pasur parasysh që mentorimi klinik bëhet në secilën klinikë të QKUK-së e jo vetëm në klinikat e Kirurgjisë.

Në QKUK që në muajin dhjetor janë duke u kryer vetëm operimet emergjente ndërsa janë anuluar mijëra operime tek rastet elektive (raste të ftohta që operohen bazuar në listën e pritjes).

Kërkesë e kirurgëve ishte që paga të mos u rritet në 1200 euro duke e quajtur pagesë denigruese.

E vetmja pagesë e pranueshme sipas tyre është paga 1800 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme