Udhëheqësi i protestave në Armeni, Nikol Pashinian, nisi valën e re të demonstratave në rrugët e Jerevanit, duke i kërkuar Partisë Republikane në pushtet të heqë dorë nga qeverisja.
Dy ditë më parë, kryeministri armen, Serzh Sarkisian, i cili paraprakisht ka shërbyer dhjetë vjet si president, ka dhënë dorëheqje, për shkak të protestave kundër tij.
“Mendoj se revolucioni ynë jo i dhunshëm, i kadifenjtë ka dërguar mesazh të qartë se Partia Republikane nuk mund të jetë më në pushtet”, tha Pashinian.
“Kërkojmë nga Partia Republikane të dorëzojë pushtetin dhe pa mëdyshje të njohë fitoren e popullit”, tha ai para turmës.
Protestat e reja vijnë pas anulimit të bisedimeve të planifikuara midis Pashinianit dhe ushtruesit të detyrës së kryeministrit, Karen Karapetian, anëtar i Partisë Republikane, i cili ka thënë se nuk i pranon kushtet e Pashinianit për negociata.
Ligjvënësi i opozitës, Pashinian, po bën thirrje për zgjedhje të menjëhershme në parlament, i cili tani është i dominuar nga Partia Republikane, dhe për një “kandidat të popullit” që të zgjidhet kryeministër i përkohshëm derisa të mbahen zgjedhjet.