Shërbimet mjekësore janë rikthyer në QMF-në “Dardania” në Gjilan pasi është sanuar problemi me trafostacionin.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Gjilanit Alban Hysen i cili ka vizituar këtë qendër mjekësore në orët e mbrëmjes së të martës.
“Në këtë kohë të vështirë të gjithë qytetarët që kanë nevojë për shërbime mjekësore, sidomos në këtë kohë të gripit sezonal, mund të marrin shërbime mjekësore. Është mirë që tashti janë shtuar edhe dhomat e kontrollit e që në katin e parë janë dy të tilla dhe se ka një dhomë të veçantë për fëmijë”, ka thënë Hyseni në konferencë për media duke shtuar se edhe ai vetë kishte sjellë vajzën e tij për kontroll.
Ai tha se numri i të sëmurëve me grip sezonal është rritur tej mase, por ai beson do të arrihet që të tejkalohet edhe kjo gjendje.
Drejtoresha e QKMF-së, Arbenita Hajdari, ka thënë se në këtë qendër ofrohet një numër i madh i shërbimeve, duke nisur nga vaksinimi anti-COVID, vaksinimi i zakonshëm, ndihma e shpejtë dhe shërbime të tjera.
Ajo ka shtuar se falë punës së punëtorëve të KEDS-it dhe të kryetarit të komunës, qendra është rikthyer dhe po jep shërbime shëndetësore për nevojat e qytetarëve.