Departamenti i Protokollit të Shtetit i cili funksionon në kuadër të MPJ-së, ka marrë vendim që të vendoset edhe një shtizë pranë flamurit kombëtar.
Jetlir Zyberaj nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Koha.net se është marrë vendimi që nesër të vendoset edhe flamuri i Republikës së Kosovës, pranë atij kombëtar “Te Rrethi”.
Përderisa fajësia e ndërrimit të flamurit “Te Rrethi” u hodh sa në Komunën e Prishtinës e sa në Qeveri, tani u mor vendim për të.
Fillimisht, disa të rinj nisën një iniciativë duke kërkuar kështu që flamuri i Kosovës të vendoset “Te Rrethi” në vend të atij të Shqipërisë.
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili së fundmi u kritikua nga asamblisti i LDK-së, Sokol Havolli, se është punë e tij ta bëjë këtë, tha se çështja e flamurit i takon Qeverisë, dhe kjo sipas tij, bëhet me autorizim të kryeministrit.