Rikthehet në agjendë kërkesa për themelimin e shkollës së baletit

Prishtinë | 13 Dhj 2018 | 10:23 | Nga Ekonomia Online

Në adresë të tre ministrave; të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, ka kaluar deri më tani kërkesa e iniciuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës për themelimin e një institucioni që cilësohet si i domosdoshëm për vazhdimësinë e baletit në Kosovë.

E thirrjes për ta themeluar një shkollë profesionale të baletit, të mërkurën i është bashkuar edhe ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi. Nëpërmjet një letre të cilën ia ka dërguar ministrit të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i ka kërkuar ta themelojë shkollën kombëtare të baletit në Republikën e Kosovës.

Viteve të fundit disa herë është alarmuar se Trupa aktuale e Baletit nuk garanton të ardhme për shkak se nuk është duke u pasuruar me anëtarë të rinj dhe se një prej institucioneve më të suksesshme kulturore në vend ka nevojë për kuadro të reja që do ta garantonin vazhdimësinë e ekzistencës së tij.

Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës kanë dërguar disa shkresa në Ministrinë e Arsimit – qysh prej kohës kur udhëhiqej nga Ramë Buja, pastaj nga Arsim Bajrami e deri tek ministri aktual – por me gjithë premtimet, asnjëherë nuk është bërë një hap konkret në këtë drejtim.

Kjo temë është rikthyer në agjendë të mërkurën, pas një takimi joformal që ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka pasur me drejtorin e BKK-së, Ahmet Brahimaj. Një komunikatë për media e lëshuar nga MKRS-ja ka njoftuar se ministri Gashi i është drejtuar me letër Bytyqit.

Aty është shkruar se kërkesa për themelimin e kësaj shkolle ka ardhur si iniciativë duke e parë si interes kombëtar, si dhe për faktin se nuk ka një shkollë të këtillë apo institucion arsimor ku bëhet shkollimi dhe përgatitja e kuadrit për Trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Duke marrë parasysh që zhvillimi i kulturës dhe i veprimtarisë së baletit në Kosovë kërkon përgatitje profesionale, është shumë e nevojshme dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme për vendin tonë të themelohet shkolla kombëtare e baletit sipas standardeve ndërkombëtare, e cila do të përgatiste kuadro të reja për Baletin Kombëtar të Kosovës dhe për veprimtarinë e baletit në vendin tonë”, thuhet në letrën e Gashit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme