Ndotja e ajrit po vazhdon të mbetet problem serioz për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për ata që jetojnë në Prishtinë. Ndonëse ende nuk ka nisur stina e dimrit niveli i ndotjes së ajrit ka filluar të rritet dukshëm. Për një gjë të tillë janë në dijeni edhe institucionet e Republikës së Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Me përfundimin e stinës së verës dhe me fillimin e vjeshtës niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë ka nisur të rritet. Me një problem të tillë veçanërisht po ballafaqohet qyteti i Prishtinës, ku numri i veturave qarkulluese është dukshëm më i madh, duke e krahasuar me komunat e tjera të Kosovës.
Njëri prej ndotësve kyçë të ajrit në këtë sezon mbetet edhe përdorimi i thëngjillit si lëndë djegëse. Në mungesë të një zgjidhjeje tjetër alternative qytetarët vazhdojnë ende ta përdorin atë për ngrohje. Se thëngjilli edhe më tej mbetet njëri prej shkaktarëve kryesorë sa i përket nivelit të lartë të ndotjes së ajrit pohojnë edhe drejtues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), të cilët megjithatë thonë se nuk mund ta parandalojnë shitjen ilegale të kësaj lënde djegëse.
Ndërkohë ekspertë të fushës së pulmologjisë deklarojnë se ndotja e ajrit sjell pasoja të dukshme te qytetarët, veçmas te fëmijët dhe te personat që vuajnë nga sëmundjet kronike. Ditëve të fundit janë parë shifra të larta të ndotjes së ajrit në kryeqytet, të cilat janë bërë të ditura përmes matësit të vendosur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Vetëm gjatë ditës së djeshme ndotja e ajrit në Prishtinë ka kaluar nivelin prej 160 PM