Paolo Maldini duket vetëm një hap larg përfshirjes në stafin e ri drejtues të Milanit, duke u kthyer kështu në atë që për 25 vite ka qenë shtëpia e tij sportive.
Për ish-kapitenin kuqezi është gati një rol drejtues, shpallja e të cilit pritet këtë të dielë. Një vendim ky, i kërkuar me këmbëngulje nga Leonardo, por edhe nga pronarët e rinj të “djallit”, dy vite pas “Jo”-së që Maldini i tha ofertës së Yonghong Li. Garancitë e kërkuara prej tij, duket se tashmë janë përmbushur.
Stafi i ri i Milanit “amerikan” është ende i pakompletuar, ndërkohë që nga të gjitha palët, qoftë nga drejtuesit e shoqërisë ashtu dhe dëshira e tifozëve, emri i Paolo Maldinit është lakuar gjithnjë e më shumë te kuqezinjtë, pas refuzimit përmes një letre të dy viteve më parë ndaj Yonghong Li.
Tashmë situata ka ndryshuar, qëndrueshmëria e garantuar nga fondi “Elliott” duket se e ka bindur edhe ish-kapitenin e klubit nga rruga “Aldo Rossi”, i cili përmes rrjetit social Instagram ka publikuar një foto në palestër, me një mesazh që mund të interpretohet edhe si një detaj: Kuqezi, ngjyrat e mia të preferuara!
Një mesazh i koduar mbase, i cili nëse përvijohet me ato që thuhen përreth “Casa Milan” merr kuptime të shumta e të ndryshme.
Maldini mund të ketë pranuar një ofertë nga drejtuesit e rinj të Milanit dhe pritet të njoftojë vendimin, që pritet brenda një kohe të shkurtër së bashku me rolin që do të ketë.
Nga sa flitet, bëhet fjalë për një rol si zëvendëspresident operacional, më shumë sesa një drejtor sportiv, pozicion për të cilin ish-kapiteni nuk është mësuar, por që për çdo rast mund të kualifikohet.
Zërave për zyrtarizimin e tij këtë të dielë u shtohen edhe ato që flasin se, Maldini mund të zyrtarizohet në krah të Gordon Singer, pronar i fondit “Elliott”, i cili pritet gjithashtu të mbërrijë në Milano.