Qendra numër VI e Mjekësisë Familjare, e lagjes “Kodra e Diellit” në Prishtinë, prej disa muajsh gjendet në fazën e rinovimit të laboratorit, ndaj pacientët detyrohen t`i kryejnë shërbimet mjekësore në qendrat e tjera mjekësore.
Punimet e parapara të përfundojnë në prill, ende po vazhdojnë, teksa kjo po ndodh shkaku i moskoordinimit ndërmjet Drejtorisë për investime kapitale dhe asaj të Shëndetësisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
130 mijë euro buxhet i ka pasur të ndara Komuna e Prishtinës për këtë vit në linjën buxhetore për rinovime dhe rindërtime të institucioneve shëndetësore. Por deri tani nga ky fond janë shpenzuar vetëm 22 mijë euro, meqë investimet si këto hyjnë në kategorinë e shpenzimeve kapitale dhe ato nuk mund të bëhen pa aprovimin e Drejtorisë së investimeve kapitale.
Kjo drejtori e ka zvarritur aprovimin e shpenzimeve të projektit për rinovimin e laboratorit të QMF-së në “Kodër të Diellit” deri në muajin gusht, dhe për pasojë punimet nuk dihet se kur do të përfundojnë.