Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren, Jehona Lushaku Sadriu, kanë përuruar institucionin parashkollor “Xixëllonjat” në lagjen Pejton e cila është rinovuar tërësisht, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Përparim Rama, tha se zhvillimin e nivelit arsimor e shohin si kyç për transformimin e Kryeqytetit. Ai potencoi se duke krijuar kushte të mira, fëmijëve u mundësohet të mësojnë dhe të edukohen.
Ai tha se përurimi i renovimit të këtij institucioni është arritje për këtë pjesë të Prishtinës, pasi sipas tij kjo i ndihmon prindërit të punojnë më lirshëm.
Rama tregoi se pesë institucione parashkollore janë në renovim e sipër.
“Të gjithë e kemi pritur me zell të madh hapjen, institucion i cili mundëson më shumë se 250 fëmijë që të jenë pjesë e saj, të kalojnë kohë këtu. Ne si Kryeqytet e shohim zhvillimin e nivelit arsimor si kyç për transformim të kryeqytetit por edhe për të ardhmen tonë. Është me rendësi të madhe që të krijojmë kushte të mirëfillta, kushte më të mira të mundshme për me ma të vegjlit tan sepse pikërisht këta janë e ardhmja e jonë. Edhe kur krijojmë kushte të mira për ta ju mundësojmë që të mësojnë të edukohen, pra prej momentin kur institucionalizohen ne kemi përgjegjësi që të ju ofrojmë kushte më të mira. Prandaj e kemi ndërlidhur me kuzhinën qendrore që të kenë një ushqim të shëndetshëm. Kjo është një arritje e madhe edhe për këtë zonë të Prishtinës, pra për qendrën e Prishtinës sepse është një ndihmesë për prindërit”, tha Rama.
Drejtoresha Lushaku-Sadriu potencoi se renovimi i objektit “Xixëllonjat” është dëshmi që kryeqyteti u kushton rëndësi fëmijëve dhe mësuesve.
Ajo shtoi se Prishtina e meriton këtë kopsht madhështor.
“Kjo është dëshmi që Kryeqyteti i kushton rëndësi fëmijëve të vet, i kushton rëndësi arsimit në përgjithësi dhe i kushton para të gjithash mësueseve që me një angazhim të shtuar i rrisim fëmijët tanë me shumë dashuri. Ky është një kopsht madhështor qe e meriton kryeqyteti, e meritojnë fëmijët tanë dhe gjendet pikërisht në qendrën e kryeqytetit”, tha ajo.