Në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër, raporton Ekonomia Online.
Elezi ka thënë se janë duke vazhduar me procesin e rinumërimit të 494 vendvotimeve.
Po ashtu, Elezi tha se është duke vazhduar edhe procesi i vlerësimit të pakove që kanë ardhur nga diaspora.
Sipas tij, deri të premten mund të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve, kurse vlerësimi i pakove nga diaspora gjatë vikendit.
Ai deklaroi së rezultatet përfundimtare do të shpallen javën e ardhshme.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore me qëllim të përmbylljes së procesit zgjedhor. Pikërisht me qëllim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të shpall sa më shpejt rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët, ka shtuar kapacitetet e numërimit në QNR, e po ashtu, edhe kapacitetet e shërbimit votues që po bën vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës. Deri më tani janë rinumëruar rreth 33% e vendvotimeve apo 161 nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre”.
“Arsyet tashmë i kemi bërë të ditura, por po i rikujtoi se kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”.
“Po ashtu, në këtë qendër, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës”.
“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 31 mijë e 164 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 35 mijë e 834 zarfe me fletëvotime dhe 14 mijë e 200 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme dhe si në vijim: 6 mijë e 309 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 4 mijë e 521 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 991 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 808 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 571 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”.