Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 310 vendvotime ose 58.60 % e 530 vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisionin Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së i tha Ekonomia Online se kanë mbetur edhe 220 vendvotime për të rinumëruar.
Sipas tij, pas përfundimit të këtij procesi do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
“Sipas të dhënave që kemi nga QNR-ja deri të dielën në mesnatë janë rinumëruar 310 vendvotime, do të thotë më shumë së gjysma e tyre. Bëhet fjalë për 58% e vendvotime që janë planifikuar nga KQZ që të rinumërohen”.
“Kanë mbetur edhe 220 vendvotime të tjera, besojmë që brenda pak ditëve do të arrijmë të përfundojmë të përmbyllim procesin e rinumërimit të këtyre vendvotimeve. Për të vijuar pastaj më numërimin e votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta”.
“Rinumërimi është duke vazhduar edhe sot në QNR dhe ka prezencë të vëzhguesve qoftë të organizatave vendore, ndërkombëtare, por edhe të subjekteve politike”.
“Besoj do ta arrijmë që në të njëjtat afate kohore sikurse në proceset e kaluara zgjedhore që në të njëjtat afate kohore ta arrijmë deri te shpallja e rezultateve përfundimtare të këtyre zgjedhjeve”, tha Elezi.