Me rishikimin e buxhetit nga Qeveria e Kosovës tre projekte janë hequr komplet nga komuna e Suharekës, duke lënë vetëm ndërtimin e sheshit të këtij qyteti.
Këtë e ka bërë të ditur, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se pos dëmeve që janë shkaktuar nga pandemia, dëm tjetër janë shkaktuar edhe në bujqësi nga reshjet atmosferike, për çka thotë se ende nuk janë paguar bujqit.
Teksa ka folur për rishikim të buxhetit dhe tërheqjen e mjeteve, ai ka thënë se vetëm ndërtimi i sheshit do të bëhet, duke shtuar se ndërtimi i saj do të bëhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës, ku kjo e fundit do ta ndihmojë me 1 milion euro, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga vet komuna.
“Është vërtetë se kemi pasur dëme, diku i kemi pasur katër projekte që janë prekur, tri janë hequr tërësisht, ka mbetur ndërtimi i sheshit të qytetit, që kemi pasur një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës të ndihmojnë 50 për qind, e që ne i kemi siguruar mjete mbi 1 milion euro nga buxhetit të Komunës, e pjesa tjetër 1 milion euro do të jetë i ministrisë së Infrastrukturës, por për fat të keq janë transferuar 270 mijë por ne do të mundohemi që ta përfundojmë sheshin së bashku me këtë dikaster”, tha ai.
Muharremaj për Ekonomia Online, ka thënë se pandemia si çdo vend tjetër ka prekur edhe bizneset në këtë komunë. Sipas tij, bizneset në këtë komunë po e presin ndihmën nga shteti, për çka thotë se është i vonuar.
“Në rend të parë është problem që të kaloj ligji për rimëkëmbje ekonomike. Bizneset në Suharekës, sikurse në krejt Kosovën po presin një ndihmë financiare, pasi që të vetën e ka bërë pandemia. Është mirë që t’ju ndihmohet pasi që shpresa kryesore janë bizneset”.
“Kemi parë edhe kompaninë që ka nënshkruar një marrëveshje mbi 1 milion euro me një kompani serbe. Për mua lufta ka përfunduar dhe për neve luftë është për vende të reja të punës që të rinjtë mos të largohen nga ky vend por që bizneseve t’ju ndihmojmë që të hapin vende të reja të punës, e që për neve është shumë më mirë”, tha ai.
Dëm tjetër në këtë komunë janë shkaktuar edhe në bujqësi nga reshjet atmosferike, teksa Muharremaj thotë se për këto dëme ende nuk janë paguar bujqit, raporton EO.
“Kemi biseduar me ministrinë e Infrastrukturës me Ministrinë e Bujqësisë, pasi që ka pasur dëme në bujqësi dhe se ende këto dëme nuk janë paguar. Jemi në kontakt me deputetët dhe e them sërish që t’iu ndihmojmë bizneseve, në mënyrë që vitin e ardhshëm mos të kemi këso lloj problemesh. Këtë vit kanë rënë edhe të hyrat vetanake që kemi bërë në planifikim të buxhetit”, tha ai.