Me shpërthimin e tensioneve në maj në veri të vendit për shkak të vendosjes së kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në katër komunat veriore, Bashkimi Europian nuk ka mundur t’i vë përballë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Tentativa e fundit ishte në fund të qershorit kur të dy liderët fqinjë shkuan në Bruksel, por nuk mbajtën takim trilateral, përveç atyre me ndërmjetësit. Për këtë, rrjedha e dialogut Kosovë-Serbi u ndryshua me tensionimin e situatës për t’u përqendruar në shtensionimin e saj.
Aktualisht, Bashkimi Europian ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të organizohet takimi i radhës në Bruksel, por në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se do të njoftojnë me kohë.
“Kur bëhet fjalë për takimin e ardhshëm brenda kornizës së dialogut, si gjithmonë, ne do të njoftojmë kur është e përshtatshme”, tha ai.
Në përgjigjen për Gazetën Express, që ishte një reagim ndaj ultimatumit të Komunës së Mitrovicës së Veriut që strukturat paralele ta lirojnë një objekt atje, BE tregoi edhe se çfarë do të jetë objekt diskutimi në bisedat e ardhshme në Bruksel.
“Çështja e strukturave të drejtuara nga serbët duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”.
Pas një marrëveshje që arriti me BE-në në Bratislavë për hapat që duhet të ndiqen për rivendosjen e qetësisë në veri të vendit, Kosova është duke zbatuar pikat për të cilat ra dakord atje.
Ndërkohë, në Bruksel dje ka udhëtuar emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Atje është pritur nga kolegu i tij europian, Miroslav Lajçak, i cili edhe njoftoi në Twitter për takimin.
“Gëzohem që po mirëpres kolegun dhe mikun tim të mirë Përfaqësuesin Special Escobar në Bruksel. Së bashku me ekipet tona, ne kaluam dje në një diskutim të thelluar mbi dialogun, gjendjen e lojës dhe rrugën përpara, si dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Faleminderit për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm”, shkroi Lajçak.
Sidoqoftë, Kurti dhe Vuçiq u panë pak gjatë një darke të përbashkët në Athinë ku u ftuan nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, mes shumë liderëve tjerë rajonalë e europianë.
Në këtë tavolinë, ndonëse nuk folën direkt, Kurti ia dha mesazhin Vuçiqit indirekt.
“Të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Europian duhet të i përmbahen dhe zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. E kusht për fqinjësinë e mirë është njohja reciproke, de-jure edhe de-facto. Minoritete do të ketë çdoherë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e minoriteteve bazuar në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, kishte thënë Kurti atje, siç kishte njoftuar Zyra e tij në një komunikatë.
Një afat të përafërt se kur mund të organizohet takimi i ri Kurti-Vuçiq e pati dhënë ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot. Në një intervistë për Gazetën Express, ai tha se një takim i tillë pritet të ndodhë në fillim të shtatorit.
Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Chris Hill, paralajmëroi se në shtator do të bëhen përpjekje të reja për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës