Ylli i muzikës botërore, Rita Ora, ka ekzaltuar dhjetëra mijëra qytetarët që kishin mbushur sheshet e Prishtinës, në koncertin për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Këngëtarja me prejardhje nga Kosova ishte veshur kuq e zi, si dhe surprizoi publikun me një performancë të jashtëzakonshme duke e luajtur “Vallen e Rugovës”, sikur shihet dhe në këto video-incizime të kameramanëve të Ekonomia Online, Florian Syla e Meriton Dajakaj.
Sipas organizatorëve, rreth 300 mijë njerëz ishin mbledhur për të ndjekur koncertin festiv. Rita ka dalë skenë rreth orës 22:00, pasi më herë kishin performuar artistë kosovarë, si Ledri Vula.
Mijëra qytetarë kanë kënduar bashkë me Ritën super-hitet si “I Will Never Let You Down” dhe “Shine Your Light”, që ishin këngët hapëse të koncertit të Orës.
“Prishtinë, Kosovë! Kjo është për ju!”, tha Rita para se të këndonte “Shine Ya Light”, klipin e së cilës e kishte filmuar në Kosovë.
Këngëtarja nuk harroi t’ua uronte qytetarëve Pavarësinë e Kosovës. “Urime Pavarësia Kosovë”, tha këngëtarja e famshme, e cila u tha se erdhi të këndojë falas, si një dhuratë për Kosovën në këtë përvjetor jubilar.
Pasi ajo numëroi, për minuta të tërë u ndezën fishekzjarrët e pavarësisë.
Para se të dilte në skenë, edhe kryeministri Ramush Haradinaj uroi qytetarët për këtë përvjetor. “Urime 10 vjetorin kosovarë, Rita është me ju”, tha ai.