Të dielën e 8 nëntorit, do të mbahet virtualisht mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve, MTV Europe Music Awards.
Ngjarja e cila do të shpërblejë me çmime artistët dhe projektet muzikore më të spikatura evropiane dhe jo vetëm, do të sjellë në skenën e saj virtuale gjithashtu edhe dy shqiptare.
Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, njoftoi se sivjet do të jetë njëra ndër prezantuesit e shumtë të MTV EMA 2020, duke prezantuar një performancë skenike ose duke ndarë një çmim.
“Entuziaste të jem njëra ndër prezantueset sivjet në MTV EMA”, ka shkruar Ora në një fotografi në InstaStory.
Por ajo nuk do të jetë shqiptarja e vetme pjesëmarrëse në këtë mbrëmje, pasi një nga çmimet e mbrëmjes ose performancat skenike do ta prezantojë edhe artistja tjetër shqiptare, me famë botërore, Bebe Rexha.
Ashtu si Rita, Bebe Rexha publikoi në InstaStory një imazh, përmes së cilit paralajmëronte pjesëmarrjen në MTV EMA 2020.
Ndërkohë, sa i përket nominimeve, e vetmja shqiptare e nominuar sivjet në MTV Europre Music Awards është Dua Lipa me gjithsej katër nominime.
Lipa konkurron për çmimet: “Artistja më i mirë e vitit”, “Kënga më e mirë e vitit”, “Artistja më e mirë e zhanrit Pop” dhe “Artistja më e mirë regjionale”.