Rita Ora në projektin e ri që po sjell këto ditë, shfaqet me veshje me motive kombëtare shqiptare.
Këngëtarja me origjinë shqiptare na ka befasuar të gjithë kur mbrëmë ka publikuar paralajmërimet për projektin ‘BANG’ që do ta publikojë pas tre ditëve.
Ajo dhe ekipi i saj i vallëtareve shihen të veshura me veshje me motive kombëtare.
E këto veshje janë dizajnuar pikërisht nga një stilist shqiptar, Valdrin Sahiti, shkruan Gazeta Express.
Madje Rita me anë të një postimi ka falënderuar kreatorin, duke thënë se ky projekt po publikohet pikërisht në datat kur po afrohet Dita e Pavarësisë së Kosovës.
Sahiti gjithashtu ka bërë një postim ku ka treguar se çfarë i kishte thënë Rita kur ka kërkuar që ai të krijonte këto veshje.
“Për këtë projekt, ajo më tha se donte t’i ‘tregonte të gjithëve stilin tonë tradicional dhe etnografik’, kështu që unë krijova këtë kryevepër për t’iu përshtatur gravitetit të asaj që ajo ka bërë për vendin tonë”, ka shkruar ai.
Ndërkohë as Rita nuk ka lënë pa komentuar në postimin e stilistit, duke i thënë se ai është më se i talentuar.
Ndërsa Elena Ora, motra dhe menaxherja e Ritës ka shkruar se ky dizajn dhe ky projekt është punuar pikërisht për të festuar Ditën e Pavarësisë, duke e falënderuar Sahitin për kreacionet dhe duke e quajtur ‘një gjeni’.
Projekti që Rita Ora po sjell është një mini-album të cilit ia ka lënë emrin ‘Bang’ dhe do të ketë këngë të reja nga artistja, të pa dëgjuara më parë
Ajo për këtë album ka bashkëpunuar me artistë e producentë të shumtë, e gjithashtu edhe me Dj e njohur botëror, David Guetta.
Rita ka vendosur që albumin ta paralamërojë e ta lansojë pikërisht me një videoklip që ka motive shqiptare.