Këtë verë Tirana do të jetë stacioni i yjeve të muzikës botërore. Në koncertin festiv të mbajtur të martën në sheshin “Skënderbej”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dha lajmin e mirë se në kryeqytet do të vijnë disa artistë me famë botërore, të cilët do të performojnë për publikun shqiptar.
“Kjo do të jetë një verë fantastike për Tiranën. Ndaj, është mirë që plazhin ta bëjmë në det, por ama mbrëmjet në Tiranë, sepse do të kemi aktivitete pafund. Në datën 9 maj do të festojmë në shesh Ditën e Evropës me një super koncert. Në 12 maj do të jetë Festivali i Ngjyrave te sheshi ‘Nënë Tereza’, ndërkohë që në datën 1 qershor do të vijë Ermal Meta”, ka thënë Veliaj, citon tvklan.al.
Më tej ai ka zbuluar se në datën 3 qershor do të jetë në Tiranë një tjetër emër i rëndësishëm, e cila si Ermali është me origjinë shqiptare.
“Në datën 3 qershor do të jetë këtu Rita Ora. Por, meqë jeni kaq entuziast nuk po ju them surprizat e tjera të qershorit dhe korrikut, por e di që keni votuar pafund dhe do të bëjmë çmos që të gjithë artistët që janë në tur në Evropë të kenë patjetër një stacion në Tiranë”, siguroi Veliaj, sipas një njoftimi për shtyp të Bashkisë.
Kreu i Bashkisë deklaroi se sikurse në këto tre vite Tirana ka njohur një transformim të thellë përmes punëve të shumta të realizuara, do të vijojnë edhe aktivitetet festive për gjallërimin e jetës artistike të kryeqytetit.
“Ëndrra jonë është që të vazhdojmë edhe këtë vit siç kemi bërë këto tre vjet me shumë punë, por dhe me shumë qejf. Ata që punojnë shumë, duan edhe të argëtohen”, ka theksuar Veliaj.
Ndërkohë, nën moton “Bashkë me të rinjtë për Shqipërinë që punon”, Bashkia e Tiranës organizoi dje (e martë) pasdite një koncert në sheshin “Skënderbej”. Artistët më të mirë vendas elektrizuan qytetarët e shumtë që kishin mbushur sheshin në një koncert të dedikuar për ta.
Disa nga zërat më të pëlqyer nga të rinjtë, si Ledri Vula, Arilena Ara, Yll Limani, Alban K. Ramosaj, Filloreta Raci, Argjentina Ramosaj, DJ ALDO ndezën sheshin më të madh të shqiptarëve me muzikën e tyre moderne.