Në varrezat e fshatit Sllovi sot është bërë rivarrimi i mbetjeve mortore të sjella nga Batanjica e Serbisë të dy martirëve të këtij fshati Halime SH. Gerbeshi dhe Fatmir Sh. Bytyqi, të vrarë në luftën e vitit 1999.
Sipas një njoftimi të Komunës së Lipjanit, në ceremoninë e rivarrimit ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti.
Ahmeti tha se rivarrosja e familjarëve është referencë për të gjithë, për institucionet e vendit tonë, veçmas për përgjegjësitë e shtetit që peshën dhe rëndësinë e të pagjeturve që rëndon akoma në shpirtrat e familjarëve të të pagjeturve ta marrin si çështje imediate për të zgjidhur.
Sipas Ahmetit, eshtrat e tyre janë thellë në themelin e shtetit tonë.
“Për kaq vite pas luftës, gjetja dhe varrimi i mbetjeve mortore, për familjarët dhe gjithë të tjerët shënon kujtesën e dhembjes, por jo vetëm kaq, na rikthen vëmendjen për të kaluarën e afërt me sa sakrificë e gjak është fituar liria, me sa përpjekje e jetëra të të afërmeve e familjarëve është murosur shtetësia jonë”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa në emër të familjes Gërbeshi dhe Bytyçi fjalë falënderuese për institucionet komunale dhe bashkëfshatarët e Sllovisë ka pasur edhe Feti Gerbeshi.