Në këtë kumtesë do t’i marrim në shqyrtim disa teori të filozofëve bashkëkohorë mbi raportet midis njeriut dhe teknikës e teknologjisë. Filozofi bashkëkohor francez Bernard Stiegler është, veç tjerash, autor i disa veprave të çmuara mbi teknikën dhe njeriun dhe teknikën e kohën.[…] Në vëllimin e parë të veprës “Teknika dhe koha”, (Galilée, Paris, 1994), në njërin nga konstatimet e para, Stiegler cek se ndonëse teknika vazhdon të mendohet si “mjet” në shërbim të një “qëllimi” (njeriu, kultura) që nga revolucioni industrial, ky definicion tani është gjithnjë e më pak i qartë, shkruan sot Koha Ditore.
Ngase “qëllimi” të cilit ajo duhet t’i shërbejë është transformuar thellësisht, kurse dija teorike, e cila duhet të shpjegojë njeriun dhe botën, nuk është në nivelin e obligimit që ka në përballjen me këto fenomene. Sipas tij, arsyeja qëndron te vazhdimi i ndarjes midis shkencës, si diskurs i vërtetë mbi atë që është dhe teknikës, si zbatim i zbulimeve shkencore.
Ai vë në pah se në emër të modernizimit rregullat që drejtonin proceset ekonomike dhe sociale-politike janë ndryshuar nën ndikimin e inovacioneve tekno-shkencore. Stiegler konstaton një përmbysje thjesht të paparë të qëllimit dhe mjeteve: koha publike dhe private nuk zhvillohen më sipas “kalendarit” njerëzor, por sipas ritmit të “risive” teknike dhe zbatimit të një rregulle të vetme të liberalizmit: duhet të adaptohesh ose të zhdukesh. /Muhamedin Kullashi