Rizvanolli: Rehabilitohen pesë vagonë të “Trainkos” me investim prej 423 mijë euro nga Ministria e Ekonomisë

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se pesë vagonë të udhëtarëve të ndërmarrjes “Trainkos” janë rehabilituar plotësisht me mbështetjen financiare të Ministrisë së Ekonomisë në vlerë prej 423 mijë euro.

Sipas njoftimit, Rizvanolli, e shoqëruar nga zëvendësministrat Getuar Mjeku dhe Triera Kasumi Berisha, anëtarët e Bordit të “Trainkos” dhe Kryeshefi Ekzekutiv Agron Statovci, udhëtoi me tren nga Prishtina në Pejë, me rastin e prezantimit të vagonëve të rehabilituar.

Ministrja tha se investimi synon përmirësimin e transportit hekurudhor dhe shërbimeve për qytetarët.

“Trainkos ka vënë në funksion pesë vagonë të riparuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë në vlerë prej 423 mijë euro. Ky investim tregon përkushtimin tonë për të ofruar një transport publik më modern, më të sigurt dhe më efikas për të gjithë qytetarët”, deklaroi Rizvanolli.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, secilit prej pesë vagonëve të rehabilituar i është zgjatur jetëgjatësia operacionale për rreth 800 mijë kilometra shtesë, duke përmirësuar sigurinë, besueshmërinë dhe cilësinë e shërbimit për udhëtarët.

Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i “Trainkos”, Agron Statovci, tha se ndërmarrja ka shënuar përmirësime të dukshme në aspektin operacional dhe financiar gjatë viteve të fundit.

“Prej vitit 2021, kostoja e shërbimit është zvogëluar me 55.96%, shërbimet operative me 79.09%, kurse të hyrat kanë shënuar një rritje prej 54.16%”, u shpreh Statovci.

Sipas njoftimit, vënia në funksion e këtyre pesë vagonëve pritet të rrisë kapacitetet transportuese, të përmirësojë cilësinë dhe komoditetin e shërbimeve publike, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit hekurudhor në Kosovë.

Të ngjashme