Ish i dërguari i Special i Kombeve të Bashkuara për definimin e statusit të Kosovës, ambasadori Albert Rohan, gjatë prezantimit të librit biografik për presidentin, Hashim Thaçi, ka rrëfyer për takimin e parë, pasluftës, që ka pasure me Thaçin.
Ai ka thënë se menjëherë pas luftës në një bisedë me Thaçin, Rohan ishte i interesuar për të ardhmen e partisë së tij politike, se çfarë ideologjie dhe pozicionimi do të merrte partia, e krijuar nga krahu i luftës.
Por, sipas Rohan, kjo ishte gjëja që më së paku i interesonte Thaçit. Ai fliste vetëm për një temë, që sipas Rohan ishte pavarësia e Kosovës e që e kishte pothuajse si opsesion.
“Në takimin e parë pas luftës, u takuam dhe isha i interesuar të di se cilës spektër evropian do t’i bashkëngjitet partia e tij. Thaçi më tha se partia e tij ishte parti e qendrës, por ishte shumë e qartë se vëmendja e tij ishte te diçka shumë më e madhe që i tejkalonte të gjitha të tjerat. Ishte pavarësia e Kosovës dhe jo pozicionimi ideologjik i partisë së tij”, ka shtuar Rohan, derisa ka folur në Akademinë Diplomatike të Vjenës.