Të punësuarit nga komunitet rom, ashkali dhe egjiptas në institucionet publike mund të numërohen në gishta, i tha Ekonomia Online Albert Kinolli, shef i grupit parlamentar të 6+.
Duke iu referuar Kushtetutës, që sipas tij, është bashkëkohore dhe demokratike, ai shtoi se u të drejtat e garantuar të punësimit, po iu shkelen.
“Republika e Kosovës ka një Kushtetutë bashkëkohore dhe demokratike ku sipas Kushtetutës dhe ligjit në fuqi respektohen të drejtat e komuniteteve mirëpo në vepër kjo deri tani është jetësuar shumë pak, për shkak se një përqindje shumë e vogël është e përfaqësuar në institucionet publike. Në institucionet publike numri i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas është jashtëzakonisht i ulët mos të them se mund t’i numërojmë në gishta”.
“…do t’i kërkojmë të drejtat që në një të ardhme të afërt me një numri cili është i garantuar për ne të jemi të përfaqësuar në institucionet publike”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se këtë çështje e kanë adresuar edhe te kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u ka premtuar mbështetje.
“Ne e kemi ngritur këtë çështje kur kemi pasur takim me kryeministrin dhe disa ministra të dikastereve të ndryshme e kemi diskutuar këtë temë, i kemi diskutuar problemet tona dhe fatmirësisht kemi hasur në mirëkuptim me kryeministrin Haradinaj ku na ka premtuar që do të fokusohet shumë më shumë në këto çështje dhe do të na dal në ndihmë për atë se çfarë na takon me ligj”.
Ndërkaq për ndarjen e buxhetit prej 1.8 milionë euro për nevojat këtyre komuniteteve, ai sqaroi se do të përdoren për plotësimin e kërkesave të familjeve në nevojë.
Ai pati kritika për Ministrinë për Kthim dhe Komunitet, që sipas tij ka bërë ndarjen e pabarabartë të buxhetit duke favorizuar atë serb. Kjo ministri udhëhiqet nga Lista Serbe.
“Ne si grup parlamentar fatkeqësisht nga përvoja e hidhur ku komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas ka thithur shumë pak fonde apo shumë pak mjete nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, ministri e cila do të duhej të ishte në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, kjo gjë nuk ka ndodhur. Ne kemi thithur jashtëzakonisht shumë pak fonde të cilat kishin me përmirësuar dukshëm gjendjen dhe situatën e vështirë dhe të rëndë socio-ekonomike”.
“Ne si grup parlamentar 6+ ku bëjnë pjesë 4 komunitete në dakordim me Qeverinë dhe Ministrinë e Financave jemi dakorduar që përmes një kodi të veçantë për komunitetet në fjalë si kërkesë e grupit parlamentar 6+ të na ndahen mjete prej 1.8 milion euro ku me marrëveshje i kemi ndarë sipas nevojave dhe specifikave të komuniteteve dhe këto mjete të bartën nga ministria e financave në ministrinë e punës dhe mirëqenies sociale dhe këto mjete do të shkon në familjet në nevojë, të cilat nuk kanë kulm mbi kokë”, tha ai.