Cristiano Ronaldo është ngritur në pozitën e pestë në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave, këtë javë. Ylli portugez shënoi dy gola në fundjavë në fitoren e Juventusit ndaj Parmës dhe një tjetër të mërkurën mbrëma në fitoren e skuadrës së tij në Kupën e Italisë ndaj Romës.
Sulmuesi 34-vjeçar ka shënuar në shtatë ndeshje rresht në Serie A, ndërsa Juventusi ka krijuar epërsi prej katër pikëve në krye të renditjes. Ai, po ashtu, e ndihmoi Juventusin në fitoren ndaj Romës në Kupën e Italisë dhe ka bërë një hap para në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave, shkruan sot Koha Ditore.
Ronaldo ka regjistruar 737 gola në 1029 ndeshje në nivelin më të lartë dhe ka ambicie që të kalojë lojtarët si Ferenc Puskas, Pele e Romario.
Sipas një hulumtimi të “Rec.Sport.Soccer Statistics Foundation”, Ronaldo tash është i pesti, ndonëse kjo çështje në vazhdimësi është kontestuar, meqë është e vështirë të gjenden statistika të sakta për ndeshjet e para shumë dekadave.
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Real Madridit ka dy gola më tepër se legjenda gjermane Gerd Mueller, që kishte shënuar 735 herë gjatë karrierës së tij të lavdishme për klub dhe shtet.