Wayne Rooney nuk do të rikthehet në formacionin bazë të Manchester Unitedit për duelin në shtëpi ndaj Stoke Cityt, të dielën.
“Sky Sports News” ka bërë të ditur se kapiteni i “Red Devils” do të jetë titullar në duelin ndaj ukrainasve të Zorya Luhansk në Europa League të enjten.
Por, ai do të rikthehet në bankën e rezervistëve në fundjavë. Ballafaqimi i xhiros së shkuar në Premierligë kundër Leicester Cityt ishte vetëm hera e tretë në katër sezone në Premierligë që Rooney e nisi një ndeshje nga banka e rezervistëve, duke u inkuadruar në lojë si rezervist në shtatë minutat e fundit.
Para ndeshjes, menaxheri i Manchester United, Jose Mourinho kishte thënë se kapiteni i Anglisë mund të jetë ndikuar nga kritikat për formën e dobët të shfaqur në periudhën e fundit.
Mirëpo, mbrojtësi Chris Smalling mbështeti Rooneyn duke thënë se sulmuesi vazhdon të jetë “futbollist kryesor” në Manchester United dhe Kombëtaren e Anglisë.