Të martën, pak para mesnatës, ka ndodhur një përleshje në rrugën “Mon Balaj”, në Prishtinë, te pompa e derivateve “Shell Petrol”. Përleshja, motivet e së cilës ende nuk dihen, eskaloi, për çka u desh intervenimi i Policisë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se lidhur me këtë rast tre persona dyshohen të jenë të përfshirë, dy prej të cilëve janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Posa Policia ka marrë informacionin, në vendin e ngjarjes është gjetur viktima e rastit, një 31-vjeçar dhe njëri nga të dyshuarit, teksa dy të tjerët ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Njësitë policore që arritën të intervenonin, kanë nisur menjëherë kërkimet për dy të dyshuarit që ikën dhe pas një kohë të shkurtër ata u kapën dhe u shoqëruan në stacion policor.
Sipas informatave të para bëhet fjalë për S.Sh. dhe A.F., të cilët janë intervistuar nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas dhënies së deklaratave, Prokurori i Shtetit ka vendosur që ata të ndalohen, nën dyshimet se kanë kryer veprën “lëndim i lehtë trupor”.