Rrahman Ademaj dhe Linda Zeqiri triumfuan në Festari Open

Suharekë | 02 Tet 2017 | 20:36 | Nga

Në Palestrën e Sporteve në Suharekë u mbajt turneu tradicional i pingpongut Festari Open. Morën pjesë mbi 100 pingpongistë nga Kosova dhe Shqipëria. Garat u zhvilluan në dy faza: në fazën e grupeve dhe dy të parët nga grupet vazhduan në fazën e eliminimeve.

Kjo ngjarje është organizuar nga Klubi i Ping-Pongut “Mushtishti”, Federata e Ping-Pongut e Kosovës dhe Drejtoria për Sport të Suharekës.

Në konkurrencën e femrave, përveç kosovareve morën pjesë edhe vashat nga Teuta e Durrësit, si dhe Dorentina Shabani, e cila jeton në Suedi.

Duele interesante u zhvilluan në gjysmëfinale, ku Liridona Rexhaj e Durrësit e mundi Hanife Zeqirin me 3:0 në seta, kurse Linda Zeqiri doli më e mirë se Iliriana Haliti.

Finalja ishte një ndeshje shumë atraktive me kthesa të shumta në rezultat dhe me lojë të bukur nga të dyja lojtaret. Linda Zeqitri i fitoi dy setet e parë dhe në të tretin udhëhiqte me 9:7 dhe dukej se do ta mposhtë fituesen e medales së bronztë ballkanike, por në çastet e fundit u shpërqëndrua dhe Liridona e fitoi setin e tretë, si dhe të katërtin. Në setin e pastë Rexhaj udhëhoqi gjatë tërë setit, por në fund Linda u rikthye dhe arriti që ta mbyllë setin vendimtar në dobi të saj dhe tërë ndeshjen me 3:2 në seta.

Te meshkujt, poashtu pati edhe disa lojtarë nga Shqipëria, dhe lojtarët më të mirë nga Kosova. Para befasisë ndodhej Fati Karabaxhaku, i cili po luante 2:2 në sete me fituesin, Rrahman Ademaj, por i mungoi pakëz përvojë dhe në fund me mund fitore shënoi Ademaj. Kreshnik Mahmuti, i cili e mbronte titullin nga viti i kaluar, kur pati befasuar të gjithë, edhe këtë herë ia doli që të depërtojë në finale. Ai fitoi Baton Çitakun me 3:2 në çerekfinale, kurse në gjysmëfinale e mundi Mentor Shabanin me 3:0. Në anën tjetër Rrahman Ademaj në gjysmëfinale e mundi Yll Malokun me 3:0 në sete.

Finalja u prit me interesim, dhe pritjet u arsyetuan. Në dy setat e parë Ademaj, në saje të një loje të fortë dhe taktikisht të pjekur, ia doli ti bënte ballë sulmeve të hovshme të Kreshnikut. Seti i tretë u fitua nga Kreshniku dhe u prit që ndeshja do të bëhej më e paqartë, por megjithatë, përvoja e Ademajt ishte vendimtare për ta fituar takimin me 3:1 në seta.

Shpërblimet për më të mirët i ndanë: z. Nehat Çitaku, kryetar i FPPK-së dhe Fadil Hamza, përfaqësues i KPP Mushtishti.

RENDITJA:
Femrat:
1. Linda Zeqiri
2. Liridona Regjaj
3. Iliriana Haliti
3. Hanife Zeqiri

Meshkujt:
1. Rrahman Ademaj
2. Kreshnik Mahmuti
3. Yll Maloku
3. Mentor Shabani

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme