Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani ka shkruar në lidhje me rritjen e çmimeve si të naftës ashtu edhe të produkteve të tjera në Kosovë.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Rrahmani ka përmendur disa vende të BE-së, ku ka thënë se pavarësisht se pagat janë më të larta në Kosovë, çmimet e qumështit, vajit, mjellit dhe produkteve bazë janë më të lira se në Kosovë, ndërkaq ka thënë se gjithashtu këto shtete kanë ulur ose hequr taksat për derivatet që të mos lejohet rritja zinxhirore e çmimeve.
Në Kosovën të cilën e ka quajtur “autoritare”, ai ka thënë se vazhdon çmimi i lartë i naftës, vazhdon rritja e bukës, ujit, qumështit, vajit, sheqerit dhe çdo produkti bazë, ndërkaq sipas tij Qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim konkret për të frenuar valën e shtrenjtimit.
“Çmimet tashmë kanë filluar të rriten. Edhe nëse nesër merren masa, ose edhe nëse bie çmimi i naftës, efekti do të jetë minimal, sepse tregu njëherë kur i rrit çmimet, nuk i ul lehtë. Dëmi tashmë është bërë. Faturën e kësaj papërgjegjësie do ta paguajë qytetari që jeton çdo ditë në Kosovë, familja me paga të ulëta, punëtori i sektorit privat, pensionisti. Pushteti vazhdon të arkëtojë më shumë, ndërsa qytetari vazhdon të varfërohet”, ka shkruar Rrahmani.